Muret, shkallët dhe disa dyer e dritare i kanë rezistuar zjarrit të madh, ndoshta për të mbetur dëshmia e vetme për vjetërsinë qindravjeçare të objektit.
Kulmi, i cili dikur ishte i mbuluar me tjegulla tradicionale, nuk shihet më. Aty kanë mbetur vetëm drunjtë që shpërfaqin vjetërsinë dhe veçantinë e objektit. Struktura nuk ka humbur, vërehet stili osman i ndërtimit mbi themelin me gurë.
Kjo është shtëpia e familjes Koroglu, e cila besohet të jetë ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX.
Shtëpia konsiderohet prej më të vjetrave në jug të Mitrovicës dhe karakterizohet si tip i çardakut të mbyllur. Ajo nuk ka pësuar shumë ndryshime gjatë historisë, veçse sot është e rrethuar me ndërtesa shumëkatëshe.
E ndërtuar 300 vjet më parë, shtëpia ndodhet jo larg nga qendra e vjetër e qytetit dhe ende e ruan karakterin e destinuar për banim, edhe pse nuk shfrytëzohet si e tillë tash e një kohë.
Objekti, i cili është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojte të përkohshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 31 tetorit – deri tani në rrethana të panjohura.
Deri tani janë të regjistruara tri raste të përpjekjeve për ta dëmtuar shtëpinë në Mitrovicë të Jugut, e cila gjithashtu ka pësuar nga moti me shi.
Sipas Fondit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), problemet do të evitoheshin me hartimin e planit të konservimit dhe me mbajtjen nën kontroll të ndërtimeve që ndodhin, në veçanti në zonat historike.
Sali Shoshi, nga CHwB Kosovo, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi qëndron në faktin se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ose shpallja e tyre monumente, “nuk është treguar efektive, për shkak se nuk merret parasysh i gjithë konteksti ku ato ndërtesa janë ndërtuar”.
Trashëgimia kulturore në Kosovë mbrohet me ligj dhe dëmtimi është i dënueshëm me Kodin Penal.
Shtëpia e familjes Koroglu është objekti i tretë i trashëgimisë kulturore i djegur vetëm gjatë këtij viti.
Në muajin mars, nga zjarri është përfshirë objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj, ndërsa në gusht është djegur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.
Shkolla e parë shqipe, apo siç njihet gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj, tashmë është restauruar. Monumenti pritet të funksionalizohet si hapësirë kulturore e qytetit.
MKRS-ja ka njoftuar se kanë filluar punimet edhe në monumentin e Taphanës – Muzeun e Muzikës në Gjakovë – i cili është përfshirë nga zjarri muaj më parë.
Fillimisht parashihen punime në masa të sigurisë, për të vazhduar pastaj me projektin e restaurimit që synohet ta kthejë objektin në gjendjen e mëparshme.
Kosova numëron më shume se 1.500 asete që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ka kryesisht asete arkitekturore dhe arkeologjike.
Dhjetëra objekte, të cilat përfaqësojnë vlera të rëndësishme, janë përballur me vështirësi si dhe rrezik për shkatërrim.
Policia e Kosovës, ndërkaq, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me hetimin e rasteve të djegies së tri objekteve të trashëgimisë kulturore sivjet.
Kosova ka në mbrojtje të përhershme edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore, në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patriarkana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës./Media Ndërtimi