Banorët e Tiranës thithin ajër disa herë më të ndotur se sa kufiri i lejuar i BE-së, por institucionet nuk kanë mundësi për të bërë një matje reale të ndotjes në kryeqytet.
Në mëngjesin e 5 shkurtit, së bashku me ekspertin Arion Sauku u drejtuam për tek Instituti i Higjienës ku ndodhet një nga dy matësit e cilësisë së ajrit në kryeqytet, për të parë nga afër se si bëhej matja.
Gjithsej në të gjithë Tiranën, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka vetëm 2 matës, të cilët prodhojnë të dhënat për gjithë qytetin.
Këto dy stacione janë vendosur në punë në fillim të vitit 2023, pasi Tirana që prej 2019 ishte një qytet pa të dhëna për ajrin.
Stacioni tjetër “Tirana Mobile” ndodhet në Sauk, larg qendrës ku ndodhet përqendrimi më i madh i trafikut dhe aktivitetit urban, që janë ndotësit kryesor të ajrit.
AKM thotë se ka kontaktuar shumë institucione publike në zona të ngjashme me trafik urban të rënduar por “për shkak të problematikave të ndryshme (ruajtje dhe energji elektrike të vazhdueshme) u vendos në Sauk”.
“Stacioni Tirana Mobile aktualisht përdoret si stacion reference për të parë diferencën midis një zone me trafik të madh urban dhe një zone tjetër me trafik më të moderuar”, – tha AKM për Citizens.
Në ekranin e matësit që ndodhet në oborrin e Institutit të Higjienës, të dhënat tregonin një ndotje tepër të lartë të ajrit mbi normat e BE (SO2, O3, etj). Të dhënat për grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 nuk shfaqeshin në ekran, pasi matja e tyre bëhej në laborator.
“Citizens” disponon të dhënat e cilësisë së ajrit për Tiranën që gjenerojnë këto dy matësa, të cilat i konsultuam me ekspertin e mjedisit. Stacioni më problematik është ai i rrugës së Elbanasit.
Nga rezultatet vihet re që grimcat e pluhurit PM10 tek Higjena tejkalojnë normat e lejuara, të cilat arrijnë deri ne 65 µg/m³ gjatë muajit Dhjetor 2023. Kjo ndotje është sa dyfishi i normës së lejuar nga BE. Por kjo e dhënë është mesatarja mujore, që do të thotë se në ditë të caktuara ndotja ka qenë edhe më e lartë se 65 µg/m³. Standardi i lejuar tejkalohet edhe në muajt e tjerë.
Ndryshe nga “Higjiena”, të dhënat e gjeneruara nga stacioni në Sauk tregon të dhëna brenda normave, të cilat nuk kalojnë 23 µg/m³.
Situata është problematike edhe sa i përket NO2 (dioksidi i azotit një gaz shumë reaktiv i formuar nga emetimet e automjeteteve motorike). Gjatë muajit dhjetor stacioni “Higjiena” tejkalon normat e lejuara nga BE duke arritur deri ne 49 µg/m³ (norma e lejuar është 40 µg/m³). Kjo tregon një ngarkesë të gazeve toksike në zone, të cilat vijnë kryesisht nga trafiku i rënduar.
Ndërsa Stacioni në Sauk nuk kalon më shumë se 30 µg/m³ në muajin dhjetor. Kjo zonë rezulton me ajër më të pastër përgjatë gjithë vitin po ta krahasojmë me zonën tek drejtoria Higjenës./Media Ndërtimi