Në vitin 2021 janë marrë rreth 96 leje ndërtimi. Në vitin 2021 kanë marrë nga dy leje ndërtimi këto subjekte: Metal Nesimi, Daton, Kaso, Progeen, Ndërtim-projektim Alliu, Arlis Ndërtim dhe GBK. Ndërsa në vitin 2020, vit kur filloi pandemia, janë dhënë 201 leje ose, thënë ndryshe, një leje në çdo 42 orë. Por, rekordin e mban viti 2019, kur janë dhënë 276 leje. Praktikisht prej vitit 2018 janë lëshuar nga Bashkia e Tiranës rreth 755 leje, përkthyer në 755 vatra ndërtimesh në Tiranë.
Nga viti 2017 e deri më sot, në Njësinë Administrative të Farkës janë marrë 97 leje ndërtimi, më shumë se në të gjitha zonat e tjera; e ndjekur më pas nga Kashari (82), Vaqarri (44) dhe Sauku (32). Ndërsa brenda urbanistikës së Tiranës kryesojnë Rruga e Kavajës dhe Rruga e Dibrës me 10 dhe 12 leje respektivisht. Kompanitë, që kanë dominuar përgjatë kësaj periudhe kohore, udhëhiqen nga “Arlis” me 10 leje të marra, pasuar nga “Tirana Vision” (8), “GBK” (8) dhe “Ndërtim dhe projektim Alliu” (7), të cilat kanë operuar në të gjitha zonat e Tiranës.
Vlen të përmendet edhe se si kompania kryesore e ndërtimit të Samir Manes, “TCI Mane”, ka 7 leje ndërtimi, megjithatë aktiviteti i tij ndërtimor nuk është ndalur me kaq, pasi zotëron më tepër se kjo shifër kompani të tjera, të cilat i ka blerë, pasi ato kanë marrë lejen nga Bashkia e Tiranës. Rast konkret, kompania, e cila po ndërton “DownTown” pranë Rrugës së Elbasanit, është blerë prej tij, pasi janë marrë lejet dhe kanë nisur punimet.
Ligji Nr. 10440, datë 7/07/2011 për “Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, përcakton rregullat, procedurat dhe afatet për identifikimin dhe vlerësimin e ndikimeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta të projekteve ose veprimtarive mbi mjedisin. Ligji përcakton hapat e nevojshme për zbatimin e procedurave të VNM: dorëzimin e kërkesës, shqyrtimin paraprak, kriteret e përzgjedhjes dhe klasifikimit, seancat dëgjimore dhe konsultimet publike, aksesin në informacion, detyrat dhe të drejtat e organeve të tjera. Ligji përcakton gjithashtu listën e veprimtarive që duhet të jenë objekt i Procesit të Thelluar dhe atij Paraprak të VNM, shkruan ACQJ.al
Në një komunikim me Vlatka Matković, koordinatore e Aleancës Shëndetësi dhe Mjedis (HEAL), që bashkëpunon me Bashkimin Europian, është vënë në dispozicion një raport studimor rreth ndotjes së ajrit dhe gazrave serrë në Ballkanin Perëndimor, ku përmendet edhe Shqipëria. Në këtë dokument përmendet se një nga hapat kryesorë për pranimin në BE është edhe adaptimi, implementimi dhe zbatimi i kapitullit të 27 të EU Acquis në lidhje me mjedisin, ku citohet: “Është obligim për anëtarët dhe vendet kandidate reduktimi i emetimeve të ndotësve të ajrit dhe gazeve serrë (GHG). Është prioritet, i cili ndërlidhet fort me politikat e energjisë, transportit dhe shëndetësisë.”
Përafrimi me Acquis të BE-së për Mjedisin dhe Klimën në vendet e Ballkanit Perëndimor (%) Burimi: Raporti – Statusi i ndotësve të ajrit dhe gazeve serrë në Ballkanin Perëndimor: Vlerësimi i progresit të procesit të anëtarësimit në mjedis CE./Media Ndërtimi.