Connect with us

Infrastrukturë

Tenderi 2.5 milionësh për Operën përfundon në OShP, dyshime për favorizim të kompanisë fituese

Published

on

Pretendime serioze janë deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP) nën dyshimet për favorizim të kompanisë fituese në tenderin 2.5 milionësh për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës më 28 shtator 2023.

Më 11 gusht të vitit 2022, kompania gjermane “Gerber Architekten[1]” me numër të dosjes 6842, është shpallur fituese nga Ministria e Kulturës, edhe pse e njëjta kishte shkelur rregullat kryesore të tenderit, duke e zbuluar emrin e kompanisë në ofertë dhe dorëzimin e ofertës pa zarf të mbyllur.

Ligji i Prokurimit Publik kërkon që në rastet kur ofertohet me projekte ideore, kompanitë të ofertojnë vetëm me kode për të shmangur ndikimet tek Komisioni Vlerësues. Më saktësisht, neni 80 i Ligjit për Prokurimin Publik – LPP, përcakton qartë se zbulimi i identitetit të pjesëmarrësve në garë për jurinë, është shkelje ligjore.

Pika 2 e këtij neni specifikon se: “Juria do të vendosë mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit. Identiteti i pjesëmarrësve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë”.

Mirëpo, në dokumentet që ka parë Buletini Ekonomik, shihet se kjo kompani ka vendosur logon e saj në secilën faqe të projektit ideor.

Ky fakt ka ngritur dyshime tek kompanitë e tjera në garë, të cilat pretendojnë se është favorizuar kompania fituese nga Komisioni Vlerësues. Kompanitë ankuese janë: -“Consortium MVRDV” në partneritet me “O.U.D.-ARCHITECTS” SH.P.K., dhe Grupi i Operatorëve Ekonomik në përbërje prej “Green Door” SH.P.K., “Chapman Taylor LLP” dhe “Progetto CMR SRL”.

Ndërkaq, shkelja tjetër që ka shtuar dyshimet tek kompanitë ankuese për favorizim të kompanisë fituese, ka të bëjë me faktin se kompania gjermane nuk e kishte bërë as dorëzimin e ofertës në zarf të mbyllur, siç kërkohet me ligj.

Sipas Rregullores 01/2022 për Prokurimin Publik, më konkretisht nenit 55.14 dhe 55.16 të kësaj rregulloreje, kompanitë kërkohet të dorëzojnë projektet në zarfe të veçanta dhe të mbyllura në një tjetër zarf të jashtëm me kodet përkatëse, kriter ky që ishte shkelur nga kompania fituese gjatë aplikimit.

“Pjesëmarrësi do ta mbyllë projektin origjinal dhe secilën kopje në zarfe të veçanta dhe në faqen e përparme të secilit zarf do të: a) Shënojë qartë si “Origjinali – Projekti Ideor ose “Kopje – Projekti Ideor”; b) Shënojë numrin e prokurimit sikurse ceket në dosjen e konkursit të projektimit; dhe c) Një numër anonim prej katër shifrave sipas përzgjedhjes së pjesëmarrësit. Zarfet pastaj do të mbyllen në një zarf të jashtëm, të shënuar qartë “Projekti Ideor” dhe që mban vetëm numrin e prokurimit dhe një numër anonim katër-shifror sipas përzgjedhjes së pjesëmarrësit”, thuhet në nenin 55.14 të kësaj rregulloreje.

Ndërsa, në nenin 55.16, theksohet se të dyja zarfet, që përmbajnë “Projektimin Ideor” dhe zarfi tjetër me “Dokumentacionin e Kandidatit”, duhet të mbyllen edhe në një zarf tjetër të jashtëm me të dhënat konkrete dhe të dërgohen për aplikim.

Kompania fituese, sipas dy operatorëve të tjerë në garë, nuk i ka respektuar as këto dy pika të rregullores më lartë. Ato janë ankuar se të gjitha dokumentet aplikuese të dorëzuara nga fituesi i projektit kanë qenë të hapura dhe pa zarfe, dhe se logoja e kompanisë fituese në projektin e prezantuar para jurisë ka qenë e mbuluar vetëm me një copë letre ngjitëse ku ka qenë i shkruar edhe kodi.

“Në këtë produkt, shihet qartë llogoja e kompanisë me kodin 6842 dhe shihet se kjo kompani është “GERBER ARCHITEKTEN”, gjë që në këtë rast juria e ka pasur të ditur faktin se për cilën kompani po bëhet fjalë. Në këtë rast, është dashur që oferta e tij automatikisht të diskualifikohet nga vlerësimi i mëtutjeshëm, e jo të shpërblehet me çmimin e parë”, ka shkruar operatori në fjalë në ankesë.

Tenderi për projektin ideor për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës tashmë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) më 23 shtator të këtij viti, pothuajse një vit pas shpalljes së tij.

Në këtë tender fillimisht kishin aplikuar gjithsej pesë kompani, ndërsa në fazën e dytë të vlerësimit, kishin kaluar vetëm tri prej tyre, një e huaj dhe dy kompani vendore në partneritet me kompani të huaja.

Pas dhjetë muajsh nga hapja e tenderit në fjalë (tetor 2022), më saktësisht më 11 gusht të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte publikuar vendimin në të cilin ishin të pasqyruara edhe rezultatet finale të Komisionit Vlerësues për këtë projekt. Sipas këtyre rezultateve, në vendin e parë me më së shumti pikë është renditur kompania “Gerber Architekten” me kod 6842.

Ky artikull është publikuar në kuadër të projektit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” i financuar nga BE,  zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ apo të Bashkimit Evropian.

Infrastrukturë

“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh

Published

on

Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.

Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.

“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.

Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.

„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.

Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.

“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.

Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.

“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme

Published

on

Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.

Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.

Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.

Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.

Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.

Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.

Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.

Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.

Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.

Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.

Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.

Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.

Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.

Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri

Published

on

Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.

Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.

Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.

Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.

Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi

Continue Reading

Trending