Valët e të nxehtit janë vetëm fillimi. Një e pesta e popullsisë së botës do të rrezikohet në të ardhmen nga nxehtësia vdekjeprurëse. Si mund t’i kundërvihemi kësaj?
Në hemisferën veriore temperaturat e motit kanë arritur nivele të larta rekord, në vendet si Greqi, Itali, Spanjë, Kinë, SHBA apo Japoni. Aktualisht nga shumë vende vijnë lajme për temperatura ekstreme, bilanci i të cilave është i vështirë të bëhet.
Sipas mediave kineze, në veriperëndim të vendit ka shpërthyer një mot me nxehtësi të madhe dhe temperatura që kanë arritur 52 gradë Celsius. Në ishullin italo-jugor të Sicilisë dhe Sardenjës temperaturat pritet të arrijnë 48 gradë Celsius.
Autoritetet japoneze kanë shpallur gjendjen e alarmit për shkak të motit të nxehtë dhe i kanë bërë thirrje miliona vetëve që të mbrohen nga nxehtësia përvëluese. Në jug të SHBA ditët që vijnë pritet që 80 milionë vetë të preken nga moti i nxehtë vdekjeprurës. Temperaturat janë rritur edhe në Europë, ku bëhet e ditur se verën e kaluar në shumë vende moti ka qenë aq i nxehtë saqë ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 60 mijë vetëve.
A do të mund jetë e banueshme Toka pas ngrohjes me 2,7 gradë?
Një studim i gazetës Nature Sustainability vjen në përfundimin se pa mbrojtje të madhe të klimës në më pak se 80 vjet rreth 2 miliardë vetë do të rrezikohen nga nxehtësia ekstreme dhe vdekjeprurëse. Kjo shifër përbën 23 përqind të sasisë së popullsisë që bota pritet të ketë në atë atë kohë.
Nëse politika për klimën mbetet ajo që është dhe bota shkon drejt ngrohjes me 2,7 gradë Celsius ose më shumë, atëherë deri në vitin 2100 vende si Katari, Mali ose Burkina Faso do të bëhen të pabanueshme nga njerëzit.
Rritja e temperaturave me 2,7 gradë do ta ndryshojë nga themelet “banueshmërinë” e Tokës dhe mund të shkaktojë një “riorganizim në shkallë të gjerë të vendeve në të cilat jetojnë njerëz,” thotë autori kryesor i studimit, Tim Lenton nga Universiteti britanik i Exeter-it.
Që sot, me ngrohjen me 1,1 gradë të Tokës në krahasim me periudhën paraindustriale, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më të forta dhe në vdekjeprurëse për miliona njerëz të botës./Media Ndërtimi