Mekanizmi i korrigjimit të kufijve të karbonit nëpërmjet taksës konkrete, i miratuar vitin e kaluar nga Bashkimi Evropian në një farë mënyre ka testuar tashmë të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike, veçmas të atyre në bazë të qymyrit, dhe ka vënë në sprovë shumë shtete të botës. Taksa e paralajmëruar e karbonit ka ndikuar tepër shumë në vizionet zhvillimore elektroenergjetike të Kosovës me mungesa evidente të rrymës dhe me rezerva të mëdha të linjitit (12-13 miliardë tonelata të verifikuara janë rezervat e qymyrit në Kosovë, që e renditë vendin tonë të vogël në të pestin në botë për nga rezervat e qymyrit).
Ka vite, por sidomos në dy-tre vjetët e fundit flitet me të madhe për taksën e karbonit, që në fakt, siç vlerësohet në mjediset dhe qarqet zhvillimore energjetike, është një instrument kryesor për të ndikuar në frenimin dhe reduktimin, por edhe eliminimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë në përgjithsësi, dhe të energjisë elektrike në veçanti, raporton Buletini Ekonomik.
Thjesht, Kosova, megjithë këtë sasi kolosale të qymyrit, që e ka edhe në sipërfaqe të tokës, është dakorduar me masat paralajmëruese antikarbon të BE-së, prandaj në një farë mënyre, praktikisht tashmë e ka shpallur këtë lëndë djegëse “inekzistente”, sado që është caktuar se masa e taksës së karbonit do të fillojë të “vilet” nga viti 2026 dhe do të përfshijë importet e energjisë me intensitet karboni, që do të thotë edhe prodhuesit e energjisë që emetojnë karbon, respektivisht prodhuesit e rrymës në bazë të qymyrit.
Në Kosovë, duke respektuar rekomandimet e BE-s, por edhe kërcënimet paralajmëruese se përdorimi i qymyrit “mund të sjellë edhe një taksë tepër të madhe për energjinë elektrike të Kosovës”, tashmë në të gjitha vizionet zhvillimore energjetike, edhe në Strategjinë energjetike 2022-2031, ngulmohet në ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, duke e abstrahuar fare, ose duke anashkaluar maksimalisht qymyrin.
Sipas vlerësimeve të asociacioneve energjetike të Europës, por edhe mekanizmave të BE-së, që trajtojnë zhvillime energjetike, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Kosova, tani përballen me tre opsione rreth minimizimit të përdorimit të qymyrit për të prodhuar energji.
Si fillim, ata nuk mund të bëjnë asgjë dhe të përballen me taksat e karbonit (të ashtuquajtura CBAM) nga viti 2026.
Së dyti të prezantojnë çmimin e karbonit për ta përputhur me politikën klimatike të BE-së dhe së treti ta shmangin atë ose të përfitojnë nga një përjashtim në legjislacion – për t’i dhënë hapësirë frymëmarrjes deri në vitin 2030./Media Ndërtimi