Treni vazhdon të mbetet mjet udhëtimi për disa qytetarë të Kosovës. Por stacionet, në të cilët ndalet treni, disa nga ta janë në gjendje jo të mirë.
Kjo vjen edhe si pasojë e asaj se “Infrakos” nuk mund të bëjë renovime në disa stacione të cilat kanë hyrë në mbrojte të shtetit, si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Refet Çitaku, zëdhënës i “Infrakos”, sqaron për Radio Kosovën se këto stacione për shkak të vlerës kulturore dhe arkitekturore janë futur në mbrojtje të trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës.
Ai thotë se disa stacione të vogla janë të demoluara dhe pritet të shkatërrohen plotësisht dhe të ndërtohen stacionet e reja.
“Stacionet kryesore janë në gjendje relativisht të mirë, nuk janë krejtësisht të shkatërruar. Pasagjerët kanë edhe nga një vend pritjeje dhe janë të standardit klasik. Por ende nuk kemi filluar me ndonjë remont në këtë pjesë”, ka thënë Çitaku.
Çitaku,gjithashtu, thotë se për shkak të eksodit të vitit 1999 është duke u shqyrtuar që stacioni i trenit në Prishtinë të bëhet stacion muze.
“Është në shqyrtim në fazën e një plani për të qenë një stacion muze për shkak të eksodit dhe është bërë një propozim”, ka thënë ai.
Për sa i përket investimit në këto ndërtesa, për këtë vit nga Ministria e Kulturës nuk është paraparë asnjë ndërtim apo edhe renovim të këtyre objekteve, thuhet në përgjigjen përmes postës elektronike nga Ministra e Kulturës.
Ndryshe në Listën e Trashëgimisë Kulturore me status të mbrojtjes se përkohshme janë: Stacioni i Trenit Pejë, 1933 – 34; Stacioni i Trenit, Lutogllavë, 1934; Stacioni i trenit-shekulli XX, Prizren; Stacioni i trenit- shek. XX, Prishtinë; Stacioni i Trenit-shek. XX, Vrandiollë, Prishtinë; Stacioni i trenit në Dritan (Dobroshec), 1936, Drenas; Linja hekurudhore Drenas- Pejë, 1936; Ndërtesa e stacionit të trenit-shek. XX, Ferizaj./Media Ndërtimi