I vendosur në fshatin Veliqiot, fare pranë lumit të Bënçës, nën këmbët e qytetit të Tepelenës, mulliri 200 vjeçar që banorët e njohin si i Ali Pashës, i rikonstruktuar gjatë kohës së pashait, ruan të njëjtat funksione si dikur.
Gurët qindravjeçarë të blojës bluajnë misër dhe grurë për të plotësuar nevojat e më shumë se 5.000 banorëve të zonës, ndërsa pjesa e depozitës së ujit në dalje të mullirit i shërben ende larjes së të leshtave të popullsisë së blegtorëve të kësaj zone.
“Ka funksionuar që kur është bërë në fillim, që 230 vjet më parë. Kur u prish kooperativa e bleva dhe e kam ruajtur me mish e me shpirt, sepse është një vepër e pazëvendësueshme”, tregon Lefter Bleta. Neshat Hadëri, i lindur në Tepelenë, kujton se edhe gjatë fëmijërisë së tij ky objekt ngjallte kërshëri dhe ishte gjithnjë funksional.
“Kur isha fëmijë ky mulli bluante grurin dhe misrin. Ky është një objekt ka vlera. Kur i fut e i nxjerr lëkurët nga uji është një kënaqësi t’i shohësh të pastra”, thotë Hadëri. Adelina, gruaja që merret me larjen e lëkurëve, thotë se tradita është e trashëguar dhe pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë në stilin e trajtimit të lëkurëve dhe mbulesave të rënda të dimrit.
“Neve ujin këtu e përdorim për të larë. Lajmë qilima, gunat e çobanëve, etj. Vijnë shumë vetë këtu”, thotë Adelina Bleta. Mulliri i Ali Pashës është diskutuar shumë herë për t’i dhënë statusin e monumentit të kulturës, por megjithë historinë që mbart, ai përfaqëson një objekt të zakonshëm.
Nuk është vetëm Uji i Ftohtë në Tepelenë, një atraksion dhe pikë e njohur nga gjithkush që i bie rruga kësaj ane. Ka të tjera pika që vizitorët me ambicie që “gjurmojnë” mrekullitë historike, ekoturistike e arkeologjike të jugut, mund t’i prekin lehtë për të marrë ndjesi të pashlyera.
Tashmë në guidat e Tepelenës, janë shtuar të tjera pika të vizitueshme, rrëfen Aleksandër Toti, djaloshi i bashkisë me origjinë nga Lekli i Thanas Vajës, që merret me promovimin e vlerave turistike në këtë vis të jugut, ngjitur me sarajet e dikurshme të Aliut ku priti Bajronin para se ky i fundit të rrugëtonte për Janinë.
Toti tregon se nga Kalaja e Tepelenës turisti mund të shkojë një çap më tej, buzë lumit të kristaltë të Bënçës, tatëpjetë Veliqotit për të parë një tjetër kuriozitet, Mullirin e kohës së Pashait që vazhdon të bluaj si 200 vite më parë.
Duke hyrë në mjediset e Mullirit me dy kate, ti sheh si punon mokër e vjetër që miellzon si me magji grurin e këtyre anëve. Pastaj, sheh vijën e ujit apo jazin e Mullirit me ujin kristal që vjen prej kanioneve të Bënçës për të rënë me presion të qilimat e velencat e leshit të punuara në tezgjah nga duart e labëreshave të kësaj treve dhe për të marrë sërish ngjyrat e mrekullueshme të ylberit.
jekja në saç e kulaçeve dhe petanikëve nga nënë Adelina dhe sekretet e bluarjes në mulli me ujë. Gjithçka artizanale në mullirin 200 vjeçar të Ali Pashë Tepelenës dhe a mund të jetë një pikë turistike për mysafirët vendas dhe të huaj ky objekt me vlera pune dhe historike./Media Ndërtimi.