Ish– ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, ish- zëvendësministri i kësaj ministrie, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari i kësaj komune Hajdin Berisha, Drejtori i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Bashkim Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës Malë Kasniqi, inspektori i Agjencisë Pyjore të Kosvës Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat lidhur me korrupsion.
Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në KOmunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shit-blerjes që kishte ndodhur në vitin 2007./ Media Ndërtimi.