Connect with us

Aktuale

Si u falsifikuan dokumentet për shitjen e pesë parcelave në Hajvali?

Published

on

E dëmtuara V.Ç thotë se ajo nuk e kishte autorizuar të akuzuarin Sejdi Bajogu tek noterit tani i akuzuari  Sinan Visoka, për shitjen e pesë parcelave në Hajvali të Prishtinës.

“Jo nuk e kam dhënë këtë autorizim”, tha e dëmtuara V.Ç,

Në këtë rast të akuzuarit Visoka Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotokut po akuzohen për korrupsion dhe veprat tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në cilësinë e dëshmitares tha se nuk e njihte të akuzuarin Bajogu, duke shtuar se nuk kishte qenë në zyrën e noterit Visoka dhe se asnjë akt nuk kishte nënshkruar para të njëjtit.

Paraprakisht dëshmitarja V.Ç tha se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori lidhur me këtë çështje. Ajo shtoi se kishte 10 hektarë tokë në Hajvali së bashku me 13 ari tokë të cilat i ishin falsifikuar.

Sipas të njëjtës, pronat i kishte të trashëguara nga bashkëshorti i saj i cili ia kishte bartur asaj sa kishte qenë gjallë, duke shtuar se e kishte autorizuar vetëm Aleksandër Çolic që të mund të diskutonte me palë për shitje të parcelave dhe kontraktim të çmimit, por që sipas saj, ai nuk kishte autorizim për nënshkrim të kontratës.

Dëshmitarja V.Ç tha se e kishte kuptuar që letërnjoftimi i saj ishte falsifikuar kur ishte kontaktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku një zyrtar e kishte telefonuar dhe i njëjti i kishte parashtruar disa pyetje dhe se letërnjoftimi i falsifikuar kishte pasur fotografi tjetër me të dhënat e saj.

Ajo po ashtu tha se të akuzuarin Zhinipotoku e njihte që kur ishte në moshë të re pasi që ishin nga vendi i njëjtë, duke shtuar se personin Enver Zhjeqi nuk e njihte duke shtuar në fund se paraqet kërkesë pasurore juridike pasi që ndihej e dëmtuar dhe se kërkonte kthimin e pronave.

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse, ku prokurori Zef Prendrecaj tha se në këtë shqyrtim gjyqësore pas administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndërsa, e dëmtuara V.Ç tha se mbështet fjalën hyrëse të prokurorit Prendrecaj, duke theksuar se ajo nuk i kishte dhënë autorizim askujt përveç Aleksandër Çolic dhe se të tjerat autorizime janë të dokumente të falsifikuara.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Visoka, avokati Hajzer Salihu në fjalën e tij hyrëse tha se pas analizimit të provave të ofruara nga prokuroria do të vërtetohet se të njëjtat nuk kanë bazë ligjore dhe me to nuk do të vërtetohet se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuari Bajogu, avokati Murat Demolli në fjalën e tij hyrëse tha se në këtë shqyrtim do të vërtetohet se i mbrojturi i tij ishte i pafajshëm dhe ishte vet i mashtruar në këtë rast.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragozhuba avokati Liman Musa në fjalën e tij hyrëse tha se është i bindur se nuk do të vërtetohet aktakuza e prokurorisë në asnjërën nga pikat pasi që asnjë nga elementet e figurës penale nuk ishte përmbushur që i mbrojturi i tij të akuzohet për veprat të cilat i binin në barrë.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Zhinipotoku, avokati Asdren Bytyqi në fjalën hyrëse tha nga analizimi i aktakuzës prokuroria nuk kishte arritur që të arsyetonte  përfshirjen e të mbrojturit të tij në kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.

Në këto rrethana seanca u ndërpre, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar me 29 dhjetor të 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Sinan Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të pandehurit Sejdi Bajogu, Muhamet Dragozhuba dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe po ashtu Sejdi Bajogu dhe Muhamet Dragozhuba akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale “Mashtrimi”.

Aktakuza thotë se, pandehuri Sinan Visoka, në cilësi të personit zyrtar-noter në Komunën e Podujevës, duke mos e përmbushur detyrën zyrtare, i njëjti më 27 korrik 2020, përpilon aktin noterial mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara si: Draft certifikatën e pronës të V.Ç pa numër të protokollit e cila ka qenë e vulosur ashtu që, e ka ditur se draft certifikata nuk vuloset, nuk nënshkruhet nga personi zyrtar, po ashtu si bazë e ka marr edhe kopjen e planit të fotokopjuar, ku noteri është dashur të refuzoj punën, mirëpo i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Noterinë të cilat veprime kanë pasur për qëllim dëmtimin e personit të tretë, në këtë rast të dëmtuarës V.Ç.

Tutje thuhet se, me këtë autorizim të datës 27 korrik 2020, me të cilën kinse V.Ç e autorizon të pandehurin Sejdi Bajogu për shitjen e disa parcelave të cilat gjinden në fshatin Hajvali në Prishtinë, këtë veprim i pandehuri Sinan Visoka e ka kryer duke e ditur se dokumentet nuk janë në origjinal, ka nxjerr akt noterial-autorizim, me çka është dëmtuar pronarja e parcelave V.Ç. /Media Ndërtimi

Aktuale

KAWA Group, tashmë pjesë e industrisë së ndërtimit në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

Kompania e njohur e ndërtimit KAWA Group, sapo ka inauguruar hapësirën në qendër të Londrës.

Përmes një ceremonie festive është hapur hapësira më e re e KAWA Group, e cila edhe zyrtarisht do të operoj në Mbretërinë e Bashkuar,

KAWA Group do të bëj eksportin e shtëpive modulare, kabinave, kontejnerëve, përpunimin e kuzhinave, dyerve dritareve dhe gjithçka tjetër rreth produkteve të drurit e metalit.

https://www.facebook.com/profile.php?id=61554337212013

https://www.instagram.com/kawagroup.uk/

Këtë vit, KAWA Group do të shënoj vitin jubilar, 15 vjetorin e themelimit, ndërsa si kompani vazhdon të jetë liderë në tregun e ndërtimeve.

Përgjatë viteve, KAWA i ka shtuar gamës së gjerë të ndërtimeve, njësi tejet inovative të banimit dhe biznesit.

Pas zyrës së hapur në Londër, KAWA Group shumë shpejt pritet që rrjetin e operimit ta zgjeroj edhe në qendrat kryesore të Evropës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Përfaqësuesit e personave me nevoja të veçanta kërkojnë t’iu sigurohet transporti për punë

Published

on

Në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media është mbajtur dëgjim publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik. Kërkesa për votimin e këtij projektligji patën personat me aftësi të kufizuar, të cilët me anë të saj kërkojnë transport dhe mundësimi i punës online.

Përfaqësuesi i personave me aftësi të veçanta, Gentrit Zeqiri, është shprehur se mungesa e kushteve për transport po ua vështirëson krijimin e kushteve për punë të këtyre zyrtarëve.

“Propozimi i parë ka qenë sigurimi i transportit të zyrtarëve me nevoja të veçanta nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe propozimi i dytë, është të ju lejohet zyrtarëve me aftësi të veçanta të punojnë edhe nga shtëpia së paku 3 ditë në javë. Sa i përket propozimit të parë është t’iu sigurohet transporti për shkak të mungesës së qasjes ku kemi shume raste, ankesa të këtyre zyrtarëve përkundër faktit që pranohen në shumë punë…për shkak të transportit ata detyrohen t’i lënë këto punë për shkak të vështirësive që kanë”, tha Zeqiri.

Për Zeqirin është e rëndësishme edhe mundësimi i punës online për këta zyrtarë, sipas tij kërkesa e këtij grupi është të mundësohet puna nga shtëpia së paku për tri ditë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbi 70 biznese promovohen në panairin “Pan Expo Group-Kosova 2024”

Published

on

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Pan Expo Group-Kosova 2024”, në Prishtina Mall, për herë të parë në Kosovë, ku po marrin pjesë mbi 70 biznese nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Qëllimi i këtij panairi është që kompanitë pjesëmarrëse të ndajnë eksperiencën e tyre me njëra- tjetrën, të mund të shpalosin ofertat e tyre, si dhe të tërheqin klientë dhe bashkëpunëtorë rinj.

Përveç kësaj, qëllim tjetër i këtij organizimi është promovimi i ndërmarrësisë, inovacionit si dhe edukimit të gjeneratave të reja për iniciativën e lirë në biznes.

Organizimi i këtij panairi u vlerësua shumë i rëndësishëm edhe nga vetë bizneset pjesëmarrëse, për çka edhe u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre.

Drejtoresha e “Pan Expo Group”, Elisa Stefa tha se pavarësisht sfidave të kaluara për organizmin e një panairi të tillë, është e kënaqur me pjesëmarrjen, kualitetin dhe cilësinë e bizneseve. Ajo tregoi se në këtë panair po marrin pjesë biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera jashtë rajonit.

Panairi “Pan Expo Group-Kosova 2024” do të jetë i hapur deri më datën 19 maj. Përgjatë ditëve të panairit do të ketë showroom-e, prezantime live, seminare, aktivitete dhe konferenca./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending