Belul Mustafin, pronari i tanishëm i Elidës tregon se si ia dolën ta ruajnë enterierin ëmbëltores më të njohur shqiptare.
Babai i tij, Nexhati, e hapi Elidën në vitin 1978. Katërdhjetë e tri vite më vonë, Elida me enterierin e saj mirë të ruajtur, ulëset në stilin Bauhaus të shoqëruara me një shampite, na shërbejnë udhëtime në kohë.
Mos me qenë ky enterier më duket sikur nuk është “Elida”, thotë Behlul Mustafi për Oralhistorykosovo.org.
Më duket sikur me qenë tjetër lokal. Edhe kur e kemi renovu lokalin në 2003-shin, bash atëherë rastësisht ka ndodhë arkitekti i cili e ka bo Pallatin. Edhe kjo ka qenë me letra “Elida” komplet, edhe 3 pytë, “Çka po bon ‘Elida’?” Thotë, “Po e renovojnë lokalin”. “Thuj le të bajnë çka t’dojnë, tavolinat e karrigat mos t’i ndërrojnë se ai është imixhi i ambëltores”.
Edhe qashtu mbeten këto, kohë mbas kohe. Qitash kanë hi edhe për trashëgimore, tash s’guxojmë edhe me i ndërru. Mirëpo, nuk na financojnë hiç, se me atë vendimin qysh shkrun, kemi të drejtë në fonde të Ministrisë për Mbrojtje për atë… Kemi të drejtë t’i shfrytëzojmë fondet për mirëmbajtjen, për rregullimin, për… Na premtun që do ta rregullojnë këtë mur këtu me fotografi të vjetra që të vijnë edhe qytetarët edhe gazetarë tjerë. Mirëpo para katër-pesë mujve, nuk janë përgjigjë në kërkesë. Se, ndoshta, qikjo n’dash botojeni n’dash mos e botoni [iu drejtohet intervistueseve], m’duket se dikujna i pengon që “Elida” u shpallë, ka hy në mbrojtje trashëgimore.
Edhe na kanë sulmu shumë, edhe në atë kuptimin e Administratës Tatimore, kemi pagu diku tek 15-16 mijë euro gjoba vetëm për kupona fiskal që ka ardhë inspeksioni këtu vetëm i ka mbushë tiketat, i ka bo gjobat pa e ditë na hiç, edhe veç kur na vijshin 3.000 euro, 2.000 euro 2.500 euro gjoba edhe akoma jemi borxh në Administratë Tatimore.
Mandej në 2015-tën, “Elida” u qitë në shitje, po falë nji gazetareje të Klan-it, e cila e ka emrin Arbëresha më duket Fazliu, mos t’gaboj, nuk e di. Unë sa kom shku n’shpi, mbas dy ditëve m’ka thirrë. “Mirëmrama!” Po më prezantohet si gazetare ajo, mendova se me këto intervista, unë intervista qatëherë shumë shpesh kisha dhanë. Edhe i thashë, “ (e pakupt. 7:43), tha jo, tha, “‘Elida’ del nesër n’shitje”. Thashë mos është naj lojë, “Nuk është lojë”, tha, “Po në portal e kemi dhanë që populli i Prishtinës me mbrojtë ‘Elidën’”.
Edhe të nesërmen në mëngjes unë këtu shumë normal, vetëm në këtë tavolinën ku jem ne ulë kanë qenë nja dy gra të ulura edhe kah ora 9:00 njerëzit. I kom fotot… Ah nuk e kom telefonin e vjetër. Nuk e di, i kom fotot që i kom inçizu me telefon, edhe nja prej 800 deri 1000 njerëz janë mbledhë se rreth e rrotull u blloku “Elida”, u bllokun katër hymjet e Pallatit prej qytetarëve të Prishtinës.
Fiks në ora 10:00 erdh me përmbarues, me gjeodet, me AKP, me kudi çka, edhe plus nja gjashtë policë. Policët me shlema, me jelekë mbrojtës me sene thu se po vijnë në luftë.
Mirëpo mur i gjallë ka qenë prej qytetarëve prej qytetarëve i bamë, edhe janë ulë në “Monaco”. Prej “Monacos” mandej kanë shku nalt në drejtori, kanë mbajtë nja dy orë mbledhje edhe kur dulën u pru vendimi që nuk do të ketë vendime parciale, nuk do të ketë vendime pjesë-pjesë por çka do të ndodh gjithmonë do të ndodh për krejt Pallatin. Domethanë kjo ish hera e dytë që qytetarët e Prishtinës e shpëtun “Elidën”. Herën e parë e kanë shpëtu në ‘91-‘93, e kom pasë mbyllun lokalin./Media Ndërtimi.