Connect with us

Aktuale

Shumica e investimeve të huaja në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishin të destinuara për pasuri të paluajtshme

Published

on

Investimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhanë kontributin kryesor në shifrën rekord të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, në rritje me 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 21% të vlerës së përgjithshme të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 66 milionë euro, 32% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2021.

Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërissht në periudhën pas pandemisë, duke se është mbështetur në masë të konsiderueshme nga kërkesa që vjen prej investitorëve të jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, megjithë rritjen e çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera të Rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia.

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse investimi. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2022 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 1.12 miliardë euro, në rritje me 44% krahasuar me një vit më parë. Në shtatë vitet e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është dhjetëfishuar.

Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ishte industria nxjerrëse. Ky sektor solli investime në vlerën e 268 milionë eurove ose 19.5% të totalit.

Investimet në këtë sektor u rritën me 8.5% krahasuar me një vit më parë dhe në pjesën më të madhe, vlerësohet se këto janë fitime të riinvestuara të investitorëve të huaj ekzistues, kryesisht Bankers Petroelum.

Rritja e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri.

Rritje edhe më të lartë shënuan investimet në sektorin energjetik, që për vitin e kaluar arritën në 175 milionë euro, në rritje me 187% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Energjetika udhëhoqi rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera të rëndësishme të investimeve të huaja, sidomos në energjinë hidrike.

Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka kaluar tashmë vlerën e 3 miliardë eurove. Rritja e çmimeve të energjisë kanë rritur interesin rreth energjive të rinovueshme dhe sidomos, në vitet e fundit, rreth energjisë nga burimet diellore.

Sektori financiar vazhdon të ketë një peshë të konsiderueshme në thithjen e investimeve të huaja, me 158 milionë euro për vitin 2022. Investimet në këtë sektor u rritën me 4% dhe përbënin gjithsej 11.5% të flukseve vjetore të investimeve të huaja direkte.

Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, për shkak se rritja e bankave tregtare kërkon shtim gradual të kapitalit aksioner, për të qëndruar në përputhje me kërkesat rregullatore.

Një tjetër sektor ku këtë vit po shënohet rritje e ndjeshme e investimeve të huaja direkte është industria përpunuese. Për vitin e kaluar, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 146 milionë euro, në rritje me 49% krahasuar me një vit më parë. Deri tani, investimet e huaja në industrinë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.37 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 33% krahasuar me një vit më parë./Media Ndërtimi

 

Aktuale

Ekspertët e AKK-së diskutojnë për zhvillimin e sistemeve kadastrale

Published

on

Menaxhmenti i Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka ftuar në një takim gjithëpërfshirës të gjithë ekspertët e institucionit, për të diskutuar në lidhje me projektet e planifikuara për avancim dhe zhvillim gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, të sistemeve kadastrale dhe sistemeve tjera me të cilat menaxhon AKK.

Në këtë takim, përveç prezantimit të punës së deritanishme të grupit punues për këtë çështje, u kërkua nga secili që të paraqesë idetë dhe kërkesat për ndryshime në secilin sistem të cilët janë planifikuar të zhvillohen.

Gjatë ditëve në vijim, Agjencia Kadastrale e Kosovës do të mbajë takim edhe me palë tjera të interesit me qëllim të informimit mbi punën, projektet dhe aktivitetet e AKK-së./Media Ndërimi

Continue Reading

Aktuale

Ministria e Financave rekruton staf për mbledhje të tatimit në pronë

Published

on

Me qëllim të grumbullimit të mjeteve në tatimin në pronë, ministria e Financave dhe Transfereve ka shpall tender për gjetjen e një “profesionisti” i cili ka traget mbledhjen e detyrueshme të tatimit në pronë.

Sipas vendimit të bërë publik në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) nga tre aplikonte, Ramiz Ramadani është vlerësuar me pikë maksimale dhe e ka fituar punën.

Ai për 12 muaj për mbledhje të tatimit do të paguhet 9 mijë e 840 euro, raporton IndeksOnline.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëhiqet nga ministri Hekuran Murati, nga e cila IndeksOnline nuk ka marrë përgjigje si zakonisht për pyetjet e dërguara.

Po ashtu nuk dihet nëse ministria që drejton Murati e ka shuar departamentin e tatimit të pronës, ku në të kaluarën ka pasur të punësuar./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mungesa e inventarit në vlerë të 80 mijë eurove për QKMF-në Gjilan, të dhënat dërgohen në hetuesi

Published

on

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se të gjitha të dhënat që janë raportuar për inventarin në vlerë të 80 mijë eurove për në QKMF-në në Gjilan, i ka dërguar në hetuesi.

Hyseni, fillimisht tha se në momentin kur është bërë auditimi në QKMF është konstatuar që ka mungesë të inventarit në raport me blerjet që janë bërë.

“Tash së fundmi kam parë disa lajme nëpër portale me fotografinë time dhe me zhdukjen e këtyre 80-mijë eurove. Unë kam deklaruar publikisht, të gjitha të dhënat sa i përket këtij rasti do t’i dërgoj në hetuesi, dhe këtë e kam bërë. Është një polic i krimeve ekonomike ose i hetuesisë së krimeve ekonomike që ka ardhë në zyre te unë dhe i ka marrë këto materiale, edhe të printuara si raport, por edhe si USB, pra material elektronik. Në raportin e auditorit të brendshëm të Komunës së Gjilanit, kur është bërë auditimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është konstatuar që ka mungesë të inventarit në raport me blerjet që janë bërë. Pra gjendje faktike me gjendjen që ka qenë e deklaruar përmes faturave”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai tha se si parti kanë mbërri në momentin kur është bërë vetëm kalimi i stafit nga objekti i vjetër në atë të riun.

“Kur kemi qenë në qeverisje QKMF ka qenë në objektin e vjetër, ndërkohë tranzicioni është bërë në qershor të vitit të kaluar dhe kemi dalë nga objekti i vjetër në objektin e ri. Të gjitha porositë për inventarizim të objektit të ri kanë qenë tashmë të bëra, pra kanë qenë porosi të mëhershme. Ka komision për inventarizim, ka zyrtarë për pranim. Ne e kemi mbërri vetëm kalimin e stafit nga objekti i vjetër në të riun. Pjesa e porosive për këto materiale inventarizimi është kryer më herët, nga një komision paraprak. Ndërkohë, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2021 dhe 2022 është vetëm pranimi i mallit. Menaxhmenti ka qenë i njëjtë qysh ka qenë më herët, pa asnjë ndryshim të vetëm. Vetëm kryeinfermierja është me ushtrues detyre tani, sepse ajo që ka qenë më herë ka dalë në pension, dhe nuk është hapur ende konkursi”, tha i pari i Gjilanit.

Hyseni, tha se tashmë janë porositur mbi 500 tavolina, por që mungojnë më shumë se gjysma e tyre.

“Ajo çfarë ka ndodhur tash është se kemi mbi 500 tavolina që i kanë porositur dhe mungojnë më shumë se gjysma e tyre. Pse? Këtë duhet ta thotë hetuesia. Në raportin e auditorit të brendshëm thuhet se janë porositur kaq tavolina, kaq dollape e kështu me radhë, dhe janë evidentuar në vendin e ngjarjes kjo, kjo, kjo. Kjo temë është politizuar shumë shpejtë. Unë kam kërkuar nga drejtoresha e Shëndetësisë, që këtë rast të ia lëmë në dorë hetuesisë dhe të mos merremi fare me këtë punë”, tha kryetari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Gjilanit tha se vlera e inventarit arrin afro 100 mijë euro, jo vetëm 80 mijë.

“Ka vlerë, nuk është vetëm 80 mijë, ka më shumë. Sepse, raporti i auditorit të jashtëm që ka nxjerrë këtë informacion është për vitin 2022, por këtu ka porosi edhe për vitin 2021, ka edhe për 2020. Shuma është afërsish 100 mijë eurove. Mandej, çfarë ka ndodhur? Janë porositur disa materiale për korridore dhe është thënë se këto janë kompensuar me ato, vlera është e njëjtë, e kështu me radhë”, shtoi ai./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending