Connect with us

Aktuale

Shumë familje në Kosovë rrezikojnë të humbasin pronat pas ‘pazareve’ me pronarët ilegal

Published

on

Dhjetëra familje në Kosovë kanë frikë se do të humbasin shtëpitë e tyre pasi Agjencia Kosovare e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës u dërgoi njoftime për dëbim, duke pretenduar se nuk e kanë blerë pronën e tyre nga pronari i ligjshëm.

Në mars 2020, Cenë Krasniqi, një 59 vjeçar nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, baba i dy fëmijëve, mori një paralajmërim, nga Agjencia Kosovare që merret me verifikimin e pronësisë, që i kërkonte të largohej nga banesa, raporton Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN.

Krasniqi e kishte blerë banesën në 2002-shin nga një person që kishte jetuar aty në vitet ‘90.

Në 2007, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, AKKVP, kishte vendosur t’ia jepte të drejtat e pronës një tjetër personi, të identifikuar vetëm nga inicialet L.L., i cili deklaronte që i vëllai, tashmë i ndjerë, kishte jetuar në atë banesë nga fundi i viteve 1970 deri në fillim të viteve 1990.Krasniqi e çoi rastin në gjykatë.

Në maj 2020, Gjykata Supreme e Kosovës “e cilëson si të palejueshme ankesën e Cenë Krasniqit kundër vendimit të formës së prerë” nga AKKVP-ja, sipas vendimit të gjykatës, që i është dhënë BIRN-it nga Krasniqi.

Ai e përshkruan refuzimin e Gjykatës Supreme për të dëgjuar ankesën e tij si një “shkelje e të drejtave të njeriut”.

“Unë po ndalohem që të apeloj kundër një vendimi që po më bën të lë banesën ku rrita fëmijët e mi,” thotë ai.

Janë disa familje si e Krasniqit në Kosovë të cilat përballen me dëbimin nga shtëpitë e tyre për shkak të aktvendimeve për të drejtat e pronësisë në rastet kontestuese.

Nga periudha e pasluftës në 2000 deri në deklarimin e pavarësisë së Kosovës në 2008, Kosova u drejtua nga Administrata e përkohshme e OKB-së, UNMIK, që së bashku me drejtuesit politikë vendorë u përpoqën që të krijonin institucione të cilat do të mund të zbatonin një kuadër ligjor të sapokrijuar për vendin, raporton Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN.

UNMIK-u themeloi Drejtorinë për Çështjet Banesore dhe Pronësore në vitin 1999. Ajo u krijua sepse pasi autoritetet jugosllave shfuqizuan autonominë e Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë në vitin 1989, shumë shqiptarëve të Kosovës iu morën pronat e tyre për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Agjencia kishte për qëllim t’u kthente pronat pronarëve të tyre të ligjshëm, të cilat ishin sekuestruar në bazë të diskriminimit etnik.

Shumica e kërkesave pronësore ishin bërë nga serbët e Kosovës, të cilët pretendojnë se njerëzit u sistemuan ilegalisht në shtëpitë e tyre pasi ata u larguan për në Serbi pas luftës së Kosovës në vitin 1999, kur forcat jugosllave u tërhoqën dhe serbët kishin frikë për sigurinë e tyre. Shtëpitë që ata lanë shpesh u shitën dhe u rishitën, duke shkaktuar një rrëmujë ligjore kur pronarët fillestarë u përpoqën të rimerrnin pronat e tyre./Media Ndërtimi.

Aktuale

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se mbrojtësit e familjes së tij u tërhoqën nga lënda pasi u kërcënuan nga dikush

Published

on

Në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Dejan Llaziq, i cili tha që gjatë procedurave gjyqësore lidhur me rikthimet e parcelave avokatët e familjes së tij janë kërcënuar e më pas janë tërhequr nga lënda.

Fillimisht dëshmitari Llaziq pohoi se familja e tij ka pasur një tokë në Çagllavicë dhe e njëjta është trashëgimi familjare dhe se prej vitit ‘ 90-ta e mban në mend se e kishin punuar të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, tregoi se toka tashmë është në pronësi të dikujt tjetër, mirëpo sipas familjarëve të tij kurrë nuk e kanë shitur të njëjtën, përveç se e kanë pasur një marrëveshje paraprake me blerësit potencial, por jo të finalizuar.

“Pasi që kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes, pasi që është dhënë një kapar, ata njerëz kanë ardhë me një avokat dhe na kanë thënë që ata nuk do ta blejnë dhe po tërhiqen, pas më shumë se gjashtë muaj dhe kanë kërkuar që ajo kapar t’ju kthehet. Të gjitha këto janë të kthyera (kapari është kthy). Më vonë kam marrë vesh se ata njerëz tani në kadastër janë pronarë”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me këtë kontest ai deklaroi se iu kanë drejtuar EULEX-it.

Pas pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova për angazhimin e ndonjë avokati nga ana e familjes së tij lidhur me këtë çështje, dëshmitari Llaziq tha se avokati Anton Nokaj i është ankuar dikujt në familje se nga dikush është kërcënuar, duke mos përmendur ndonjë emër konkret.

Ai gjithashtu theksoi se në cilësinë e përfaqësues ligjore të familjes ka qenë edhe Fatime Berisha, e cila e kishte tërhequr padinë pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në atë kohë, pasi që edhe ajo në atë kohë kinse ka marrë kërcënime.

“Nuk e di se çfarë kërcnime dhe nga kush. Kinse thuhet sepse unë nuk kam qenë prezent në ato biseda me Fatimen…dhe për këto kam dëgjuar prej familjarëve të mi”, tha dëshmitari Llaziq.

I njëjti ka mohuar se e njeh të akuzuarin Mehmet Prishtina.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës, Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi pas deklarimit të dëshmitarit se nuk ka qenë prezent në asnjë procedurë por vetëm ka dëgjuar nga familjarët e tij, duke konsideruar se aktakuza është ngarkuar me shumë prova të panevojshme.

“Prokuroria Speciale me dëgjimin e këtij dëshmitari, nuk e ka marrë parasysh faktin se edhe në fazën e hetimeve edhe në seancat e gjykimit, gjithçka që është përgjigj ka pas thënie të dëgjuara nga familjarët e tij dhe asnjëherë s’ka qenë pjesëmarrës në asnjë veprim procedural për asnjë çështje penale për të cilat jemi këtu. Kjo do të thotë aktakuza është ngarku me shumë prova të panevojshme”, tha avokatja Mjekiqi.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili bëri të ditur që ky shqyrtim fillon rishtazi, ashtu që në vend të gjykatëses Suzana Çerkini, tani është gjykatësi Rrahman Beqiri, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet procedurale u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një kompani ndërtimi dëmton kabllot e rrjetit nëntokësor në lagjen “Pejton”, mbesin pa energji elektrike një numër i caktuar i konsumatorëve

Published

on

Një kompani ndërtimi, teksa kryente punime në lagjen “Pejton”, ka shkaktuar dëmtimin e kabllove të rrjetit nëntokësor.

Me këtë rast kanë mbetur pa rrymë një numër i caktuar i konsumatorëve të kësaj lagjeje dhe asaj të Dardanisë.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të evituar dëmin e shkaktuar. Falë përkushtimit të tyre deri më tash është arritur që pjesërisht të rikyçen në rrjet disa konsumatorë, derisa po punohet në mënyrë intensive që furnizimi t’u rikthehet të gjithë konsumatorëve të afektuar.

Për këtë rast janë informuar organet e rendit, dhe KEDS u bën thirrje kompanive të ndërtimit që të kenë kujdes të shtuar gjatë realizimit të punëve, meqë përveçse dëmtojnë asetet elektroenergjetike të KEDS-it, lënë pa furnizim me energji elektrike edhe konsumatorët./Media Ndërtim

Continue Reading

Aktuale

“Termokos” përfundon sezonin ngrohës 2023/2024

Published

on

Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat.

Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m².

Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë.

NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë./Media Ndëtimi

Continue Reading

Trending