Arkitekturë
Shumaker: Varemi nga zhvilluesit privat për të siguruar hapësira publike
“Ne si arkitektë duhet t’i përdorim të gjitha mjetet që i kemi për t’i zgjedhur problemet e së tashmes”, kjo është përgjigja e arkitektit amerikan Jeffrey Shumaker, në lidhje me sfidat e tanishme të fushës së arkitekturës.
Shumaker, i cili për më shumë se 20 vite ka punuar në lëmin e arkitekturës dhe planifikimit të qyteteve në Amerikë, këto ditë është duke qëndruar në Kosovë.
Ai, mbrëmë mbajti edhe një ligjëratë të hapur para publikut kosovarë, në kuadër të Festivalit të sivjetmë të Arkitekturës, i cili në “Kino Armata” ka mbledhur këto ditë emrat më të njohur të planifikimit e dizajnit, raporton Ndërtimi.info.
Sipas Jeffrey Shumaker, një ndër kontributet më të mëdha që mund të japin arkitektët është që të shohin punën e tyre nga këndvështrimi i kalimtarëve në rrugë.
“Mendoj se njëra ndër kontributet tona kryesore është të shohim punën tonë nga këndvështrimi i dikujt që ecën nëpër qytet. Ndonjëherë e marrim si të mirëqenë se qyteti është për njerëzit dhe mendoj për qytetet si New Yorku që e festojnë diversitetin. Ky qytet ka më shumë kurajo se cilido qytet tjetër në botë, për shkak të diversitetit të njerëzve dhe për këtë arsye dua të sigurohem se qyteti e reflekton këtë gjë sa i përket arkitekturës dhe hapësirave publike” ka thënë ai.
Sipas tij, ajo çfarë nënkuptohet me të qenurit në tokë dhe me të parit e qytetit nga ana e kalimtarëve siguron arkitektët se trotuaret janë të sigurta dhe se hapësirat publike janë vende ku njerëzit mund të kalojnë kohë së bashku.
Shumaker ka thënë se kur krijohen hapësira adekuate publike, njerëzit do t’i frekuentojnë ato.
“Më parë kontestohej nëse njerëzit duhej të uleshin nëpër rrugë, por kur krijohen hapësirat e përshtatshme, kur vendosen tavolinat ulëset dhe disa bimë përreth njerëzit do të fillojnë të shfaqen”, potencoi ai.
Një gjë tjetër e rëndësishme, sipas tij është edhe ribalancimi i rrugëve, duke mos i parë ato si hapësira vetëm për vetura, duke e përmendur San Francisco-n si qytetin e parë në SHBA që ka krijuar hapësira të përkohshme e të përshtatshme publike ku njerëzit mund ta kalojnë kohën.
Shumaker përmendi gjithashtu edhe kontrastin që shpesh vihet në pah midis publikes dhe privates, duke theksuar se në Neë York zhvilluesit privat janë faktorët kyç për hapësirat publike.
“Gjithmonë e shohim kontrastin midis publikes dhe privates dhe në qytetet si Neë Yorku. Ne me të vërtetë varemi nga zhvilluesit privat për të siguruar hapësira publike”, potencoi ai.
Një shembull se si një vend mund të jetë në mënyrë private i krijuar, i menaxhuar e i mbajtur, por që është i qasshëm për publikun, sipas tij, është parku “Domino”, në Neë York.
Arkitekti amerikan gjithashtu përmend faktin se si në kohë të protestave, hapësirat publike shndërrohen në vende shumë të rëndësishme që bashkojnë njerëzit, duke marrë shembull protestën kundër Presidentit Trump.
“Qytetarët e Neë Yorkut nuk janë adhurues të mëdhenj të Presidentit Trump, kështu që rrugët dhe hapësirat publike dhe njerëzit në kohën e protestës ishin së bashku”, tregoi ai.
E arkitektët që, sipas tij, kanë luajtur rol të rëndësishëm në planifikimin dhe zhvillimin e qytetit si dhe në zhvillimin e arkitekturës janë Robert Moses dhe Jane Jacobs.
“Jane Jacobs ishte shumë kurioze. Ajo analizonte se si qyteti funksiononte, si funksiononin rrugët dhe hapësirat publike”, bëri të ditur ai./Ndërtimi.info.