Çmimi i banesave në ndërtesat kolektive të banimit, pas krizës së pandemisë COVID 19 dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase, ka shënuar ngritje të madhe kudo.
Po të krahasohen çmimet aktuale që e dominojnë tregun e banesave në Kosovë me çmimet e 1.5-2 vjetve të kaluara, del që ato të jenë dyfish e përtej më të larta.
Ndërsa, në Kosovë, në kryeqytet sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe trendi i ndërtimeve po vazhdon hovshëm, sadoqë ndërtimtarët pretendojnë ta minimizojnë ritmin imponues të ndërtimeve banesore.
Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht.
Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 2.000 e 3.000 euro, dhe përtej këtyre shifrave, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro.
Sipas Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e dytë 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bërë publik kohë më pare, ndërtimet shënuan ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë 2022, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkaq, krahasuar me çmimet e ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje për 19.8%.
Ndërtimtarët, kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput si pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, sidomos të hekurit (armëbetonit) dhe të blloqeve e tullave të ndërtimit, i inflacionit dhe i kostos së ndërtimit të një banese.
Dhe, është e vërtetë se çmimet e hekurit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për një banesë janë ngritur ndjeshëm, sidomos gjatë kohës së pandemisë COVID 19 dhe sidomos pas eskalimit të luftës ruso-ukrainase.
Sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare që përcjellin ekzaktësisht lëvizjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, çmimi i hekurit (armëbetonit) në rajon më 17 qershor ka qenë 1.350 dollarë për një tonelatë.
Ndërsa, një tonelatë e hekurit më 9 qershor, ka kushtuar 1.400 dollarë. Nga fillimi i këtij viti, një tonelatë e hekurit çmimin më të lartë në tregjet e rajonit e ka pasur më 4 prill, kur një ton hekur për ndërtimtari ka kushtuar 1.610 dollarë, ndërsa me çmimin më të ulët, ose 1.300 dollarë për një ton, hekuri është tregtuar më 18 maj, kanë transmetuar mediet e rajonit.
Sipas ndërtimtarëve të Kosovës, rritje të madhe të çmimeve në vitin e fundit kanë pasur materialet, transporti dhe puna e ndërlidhur me ndërtim./Media Ndërtimi