Në raportin e saj për vitin 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit tregon se Komuna e Shtërpcës ka ndërtuar një spital në vlerë prej 1.6 milion eurosh, por që ende nuk është funksional, edhe pse pranimi teknik është bërë në tetor të vitit 2012.
“Amortizimi i akumuluar i këtij objekti, deri në fund të vitit 2021 ka arritur vlerën prej 377.473 eurosh, ndërkaq vlera neto ka mbetur në 1,269,684 euro”, thuhet në raport.
Për këtë spital në një kohë janë blerë edhe pajisjet dhe auditori tregon se vlera e përgjithshme e atyre pajisjeve mjekësor arrin në 1.8 milion euro. Këto pajisje ruhen në magazinë dhe nuk përdoren.
Gjithashtu, bëhet me dije se në regjistrin e pronave komunale janë katër objekte banesore, të cilat janë ndërtuar për familjet me nevojë sociale dhe se në to janë investuar 2.709.075 euro.
“Ndonëse ndërtesat kanë përfunduar më shumë se gjashtë vjet më parë, ato ende nuk mund të përdoren, nuk janë të pranuara teknikisht. Këto ndërtesa nuk i shfrytëzon askush, nuk kujdeset askush për to dhe nuk mirëmbahen. Nga vëzhgimi kemi vërejtur se këto objekte janë dëmtuar dhe demoluar”, thuhet në raportin e auditorit.
Konstatohet se shkak për një gjë të tillë është “neglizhenca, papërgjegjshmëria e menaxhmentit dhe mungesa e kontrollit të brendshëm”.
Nga Komuna e Shtërpcës, e cila udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq nga radhët e Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve në Kosovë, thonë se autoritetet lokale janë duke punuar për funksionalizimin e spitalit “për faktin se vetë ndërtesa ka shumë dëmtime brenda dhe jashtë”, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Ka përfunduar faza e pastrimit të objektit, si dhe ndërrimi i dritareve/dyerve të thyera. Në periudhën në vijim do të punojmë për riparime të tjera për funksionalizimin e objektit, në mënyrë që në një fazë të mëvonshme spitali të përgatitet për hapje dhe funksionim. Synimi ynë është që kur të hapet spitali, ai të ofrojë shërbimet më të mira të kujdesit shëndetësor sekondar”, thonë në një përgjigje me shkrim për REL-in nga kabineti i kryetarit të Komunës së Shtërpcës.
Rreth 10 vjet më parë filloi ndërtimi i spitalit modern në Graçanicë me mjetet e Qeverisë së Kosovës. Projekti parashikonte që spitali të shtrihej në shtatë mijë metra katrorë me 12 salla operative dhe një shesh helikopterësh, por deri më sot nuk ka përfunduar.
REL-i kishte shkruar për këtë, në prill të vitit të kaluar, ndërkaq kryetari i atëhershëm, Sërgjan Popoviq, nuk mundi të specifikonte pse spitali nuk u përfundua kurrë, me arsyetimin se “e gjeti një gjendje të tillë”.
Në Graçanicë, shërbimi sekondar shëndetësor funksionon në kontejnerë llamarine që nga viti 1999, në të cilët, asokohe u zhvendos Qendra Spitalore Klinike (QSK) e atëhershme nga Prishtina.
Në këtë institucion shëndetësor janë të shtruar pacientë nga territori i komunës së Graçanicës, por ka edhe pacientë nga komunat tjera në jug të lumit Ibër.
Mjekët që punojnë në Qendrën Spitalore Klinike në Graçanicë në disa raste kanë theksuar gjendjen alarmante të kujdesit shëndetësor, gjegjësisht se nuk kanë mjete për të punuar dhe se pas disa vjetësh do të mbeten pa personel, ndërkaq pacientët shpesh janë të detyruar të bëjnë analiza në klinika private.
Ndërkohë, vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2018 ka paralajmëruar ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, me fonde të Qeverisë së Serbisë.
Mirëpo, për gjithë këto vite, është siguruar vetëm trualli, mbi të cilin duhet të ndërtohet “së shpejti” spitali.