Së fundmi APD hapi garën për marrë një shërbim konsulencë që do të shërbejë projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto- Romano, me një vlerë prej 1 miliardë lekë, pa TVSH. Afati i për përgatitjen e ofertave është deri më datë 9 korrik 2021 dhe konsulenti do të asistojë projektin për 8 muaj. Pak ditë më parë qeveria miratoi zgjerimin e Portit të Porto Romanos me territore të reja. Ky tender mbështet përpjekjet që qeveria shqiptare ka nisur qysh vitin e kaluar për të transferuar shërbimet e përpunimit të mallrave nga porti aktual në Porto Romano.
Në vend të portit aktual kompania, EMAAR nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të zhvillojë një port jahtesh, në të cilin do të qëndrojë edhe shërbimi aktual i Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe një kompleks me rezidenca luksoz, të ngjashme me “Dubai Marina”. Kompania EMAAR e Emirateve Arabe propozoi në nëntor të vitit të kaluar një projektin me vlerë 2 miliardë dollarë. Por sfida më e madhe, që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare lidhet me transferimin e përpunimit të mallrave nga Durrësi në Porto Romano.
Ekspertët të fushës pohojnë se zhvendosja e shërbimit të përpunimit të mallrave në Porto Romano do të jetë një sfidë. Aktualisht, gjiri i Porto Romanos lidhet me rrjetin kombëtar me rrugë automobilistike, e cila ende nuk ka përfunduar totalisht. Zona, e cila synohet të akomodojë portin më të madh në vend për mallrat, nuk ka linjë hekurudhore, si në Portin e Durrësit. Gjithashtu distanca më rrjetin kombëtar është më e largët dhe mungojnë disa elemente logjistike themelore.
Infrastruktura në Portin e Durrësit është ngritur ndër vite nëpërmjet studimeve dhe investimeve të shumta. Ndërsa në Porto Romano mungon. Inxhinierët e Portit të Durrësit i pohuan Monitor pak kohë më parë se, transferimi nuk mund të bëhet me urdhra të momentit, porse duhen studime të detajuara dhe shumë investime që kërkojnë kohë. Transferimi me shpejtësi i shërbimit të Kargos në Porto Romano rrezikon ta bëjë Shqipërinë jokonkurruese me rajonin. Kosova që tashmë është përdoruesi kryesor në rajon i Portit të Durrësit me ndërtimin e Autostradës së re me Maqedoninë arrin më shpejt në Portin e Selanikut.
Përpjekjet për të transferuar shërbimin e kargos nga Porti i Durrësit kanë dështuar më herët. Studimet që nga viti 2000 kanë vërtetuar se, zgjerimi i Portit të Durrësit për të përpunuar më shumë mallra në perspektivë është i pamundur për shkak të mungesës së hapësirave. Porti, brenda në qytet, është i rrethuar me ndërtime dhe për më tepër deti është shumë i cekët që nuk siguron ankorimin e anijeve me tonazh të lartë.
Nënkontraktohet në Portin e Durrësit pezull, rrezikojmë gjoba nga arbitrazhi
Në Portin e Durrësit, i cili është një ndërmarrje me pronësi publike operojnë shumë operatorë të tjerë që ofrojnë nëpërmjet kontratave koncesionare (PPP) shërbimet e transferimit të ngarkesave nga anijet, ofrojnë sigurinë, remontet, dhe shërbime të tjera portuale. Këto kompani janë private dhe kanë kontrata shumëvjeçare të tipit PPP (Partneritet-Publik-Privat) me Portin e Durrësit. Një nga më të mëdhatë është ajo me kompaninë gjermane, Albanian Ferri Terminal (AFTO), e cila ofron shërbimin e ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave në terminalin lindor të Portit nëpërmjet një kontrate PPP me afat 25- vjeçar.
Kompania nisi ofrimin e shërbimit në vitin 2013. Një kontratë të ngjashme ka edhe operatori tjetër i madh i Portit të Durrësit, Continier Terminal (DCT). Kompania ofron shërbimet e Kargos në port kundrejt një kontrate PPP me afat 35-vjeçar. Autoritetet shqiptare kanë tentuar të bllokojnë aktivitetin e kompanisë dhe tani palët janë në Arbitrazh, ku DCT kërkon dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh. Çështja kundër Shqipërisë është regjistrua më 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington. Në port ushtron aktivitetin edhe operatori tjetër EMS APO, me kapital gjerman, që realizon shërbime të ngjashme me një kontratë PPP me afat 35-vjeçar.
Gjithashtu janë edhe dhjetëra operatorë privatë që ofrojnë shërbime të mirëmbajtjes së mjedisit, pastrimit dhe shërbimeve të tjera. Burimet në Ministrinë e Infrastrukturës thanë se, shërbimi i përpunimit të mallrave nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të kalojë pa kontrata koncesionare. Kjo sipas burimeve të Ministrisë është e logjikshme, pasi operatori që do të operojë në Porto Romano për të nxjerrë fitimin e investimeve, do ta zgjidhë vetë mënyrën se si do të ofrojë shërbimet. Edhe nëse kontratat lidhen me koncesionarët aktualë të Durrësit kushtet do të jenë të tjera. Mossqarimi i kësaj pike rrezikon një lumë padish në arbitrazh për prishje te parakohshme të kontratave./Burimi: Monitor