Rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve për Tiranën jo vetëm shtoi detyrimin e qytetarëve për taksën e ndërtesës, por dha efekt të menjëhershëm te kostot e aktivitetit të ndërtimit, pasi mbi këto çmime përcaktohet vlera e taksës në infrastrukturë.
Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar korrikun e kaluar me rritjen e çmimeve të referencës. Seanca e parë që do të jetë publike është përcaktuar të zhvillohet më 18 Qershor 2024, shkruan Monitor.al
Referuar objektit të padisë nga Shoqata e Ndërtuesve kërkohet shfuqizimi i aneksit 1 të vendimit ku përcakton çmimet e ndryshuara të referencave të shitblerjes së apartamenteve dhe shkronjës “dh” të aneksit 2 të vendimit që përcakton veprime prapavepruese për “çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK.
“Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 457, datë 26.07.2023 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në vendimin nr. 132, datë 07.03.2018 të Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar” (VKM nr. 457/2023) shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe në pjesën që ka emërtuar të përcaktoje në Aneksin 1, pika a.2) se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
- Pezullimin e zbatimit të shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe pikës a.2) të Aneksit 1, për lejet e ndërtimit të dhëna përpara hyrjes në fuqi të VKM-së nr. 457/2023 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, citohet në objektin e padisë dërguar Gjykatës Kushtetuese.
Shtoi 40% detyrimet e taksës së infrastrukturës dhe deri 300 euro/m2 çmimet
Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera. Taksa paguhet nga ndërtuesit para zbardhjes së lejes së ndërtimit.
Për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës./Media Ndërtimi