Kompanitë në pronësi të Bill Gates dhe Warren Buffett planifikojnë të nisin projektin e parë të të ashtuquajturit reaktor atomik “Natrium”. Për ekspertët projekti është përpjekje të gabuar për uljen e CO2.
“TerraPower”, kompania e energjisë bërthamore e Bill Gates, si dhe “PacifiCorp” – në pronësi të kompanisë Holding të Warren Buffett, “Berkshire Hathaway” – u bënë bashkë në shtator të 2020-ës në projektin “Natrium”. Bëhet fjalë për një reaktor të vogël modular për të cilin ata thonë se do të jetë i zbatueshëm deri në vitin 2030.
Shumë vende po mendojnë si zgjidhje reaktorë bërthamorë më të vegjël, të ashtuquajtur modularë, si një mënyrë për të mbështetur prodhimin e energjisë me emetim të ulët, duke shmangur varësinë e deritanishme nga karburantet klasike si gazi apo qymyri dhe duke kaluar tek burimet e rinovueshme të energjisë.
“Reaktori do të ndërtohet nga Bechtel, në Wyoming, shteti kryesor i prodhimit të qymyrit në Shtetet e Bashkuara”, tha Gates.
“Ne mendojmë se ‘Natrium’ do të ndryshojë historikun e industrisë së energjisë”, theksoi ai.
Akti i Transformimit të Energjisë së Pastër të SHBA-së kërkon eliminimin e qymyrit deri në vitin 2025 dhe dekarbonizimin e plotë të rrjetit deri në vitin 2045. Departamenti i Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë “TerraPower” 80 milionë dollarë (70 milionë euro) për të çuar përpara idetë e saj. “TerraPower” thotë se uzina do të kushtojë 1 miliard dollarë, duke përfshirë inxhinierinë, prokurimin dhe kostot e ndërtimit, si dhe do të nevojiten shtatë vjet për t’u ndërtuar.
Në SHBA, kostoja e ndërtimit të një termocentrali konvencional bërthamor është rreth 25 miliardë dollarë dhe mund të marrë shumë më tepër kohë për t’u ndërtuar.
“Bill Gates ka nënvlerësuar vazhdimisht rolin e sigurt dhe tashmë të provuar të energjisë së rinovueshme në dekarbonizimin e ekonomisë sonë, duke i dhënë rëndësi një teknologjie më të rrezikshme dhe me pasoja si gjeoinxhinieria dhe ajo bërthamore,” tha për DW Michael E. Mann, profesor i shkencës atmosferike në Universitetin Penn State.
Mann, nënshkrues i një deklarate të fundit që bën thirrje për dekarbonizim përmes energjisë 100% të rinovueshme, thotë se e sheh shqetësuese që Gates po përpiqet të përfitojë nga ky “drejtim i gabuar”. “Është qasje e rrezikshme, sepse na çon në rrugën e gabuar.
Në këtë pikë, veprimet nuk janë më teknologjike. Ato janë politike” – argumentoi Man.