Në gjykimin ndaj Estrida Bunjakut, Vigan Bunjakut, Burim Vokrrit, Xhemail Arifit, Faton dhe Valon Orllanit, e dëmtuara Fatime Sheremeti ka thënë se është dëmtuar 11 mijë e 800 euro, ndërsa e akuzuara Estrida nuk e kundërshtoi këtë pagesa.
“Nuk ia kundërshtoj pagesën qe e ka bërë, në rregull është”, ka deklaruar e akuzuara Bunjaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth pagesës që ka bërë, e dëmtuara Sheremeti e ka dha të martën në rastin ku gjashtë të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “Krim të organizuar”, “Mashtrim”, “Shpëlarje të parave”, “Shkaktim të falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi’’.
Në këtë seancë janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve edhe Isa Dukaj, Lutfi Gashi dhe Dashnor Byci.
Dëshmitarët Dukaj dhe Gashi kanë deklaruar se kishin lidhur kontratë me të akuzuarën Bunjaku që në pronën e tyre të ndërtohet objekt ndërtimor, por që e akuzuara Bunajku sipas tyre nuk kishte arritur asnjëherë të marrë leje ndërtimore dhe ta përfundojë ndërtimin.
Ata kanë thënë se, kriteri kryesor sipas kontratës së lidhur me të akuzuarën Bunjaku ka qenë që mos të ndërtohet në pronën e tyre para marrjes së lejes, dhe pasi të merret leja e ndërtimit të njëjtëve t’ua prezantojë.
Ndërsa, e akuzuara Bunjaku ka kërkuar nga gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, pasi sipas saj nuk ka mjete për të caktuar një me autorizim dhe ka kërkuar t’i jepet kohë që avokati i ri të përgatitet për gjykim.
Gjykatësja Husaj-Rugova, e ka njoftuar të akuzuarën se do t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare dhe e ka anuluar seancën e datës 3 dhjetor 2021, në mënyrë që avokati i cili do ta mbrojë të akuzuarën Bunjaku të përgatitet për gjykim.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 9 dhjetor 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkohen me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.
Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjellë në lajthim rreth 176 qytetarë duke iu paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.
Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.
Prokuroria pretendon se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para-kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj./Media Ndërtimi.