shkruar nga: Luljeta Çejku-Sokoli, arkitekte ish-drejtoreshë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës
Jo rastësisht do të evokojë vetëm një sekuencë të kujtimeve me profesorin tonë të nderuar arkitektin-urbanist Bashkim Fehmiu dhe ish Drejtorin e urbanizmit me një bagazh të madh krijues dhe kontributin prej kolosi në hapësirë, në shumë institucione dhe në shumë sfera.
Kontribuesi kolosal nuk u vlerësua nga rrethi me mirënjohje të veçantë përpos zhgënjimi , sepse kur dhuron shumë edhe lëndohesh shumë.
Ndaj në periudhën e fundit të jetës së tij i zhgënjyer kishte vendosur të vetëpërmbahej duke refuzuar intervistat, paraqitjet në media, mospjesëmarrje në debate publike profesionale, refuzonte të botonte dorëshkrimet profesionale, refuzonte të merrte pjesë në komisione dhe aktivitete të tjera sidomos kur mungonin rrethanat serioze dhe niveli adekuat profesional
Rasti i fundit i angazhimit të tij do ishte emërimi i tij në cilësi të Kryetarit të Jurisë profesionale për Konkursin ndërkombëtar të Qendrës dhe Mobilitetit Urban në Ferizaj, i organizuar si projekt i përbashkët nga UN-Habitat, MMPH dhe Komunës së Ferizajit.
Profesori me nivelin e lartë të përkushtimit kishte formuar grupin e Jurisë profesionale me përbërje të profesionistëve dhe ekspertëve të përzgjedhur të fushave të ndryshme.
Në mesin e tyre isha e ftuar edhe unë, që pa hezitim isha bashkangjitur në përkrahje të punës me profesorin, sepse ideja e emërimit të tij për Kryetar të Jurisë ishte nder i veçantë për Kosovën.
Askush nuk mund të organizonte punën e Jurisë dhe vlerësonte projektet e konkursit më mirë se profesori, arkitekti urbanist Bashkim Fehmiu.
Paraprakisht profesori kishte kryer punët parapërgaditore dhe pas vizitës së parë të Jurisë profesionale në teren, ai ishte fyer me një defekt të organizimit të punës, dhe kjo kishte mjaftuar të konstatojë gjithë seriozitetin institucional të qasjes në konkursin ndërkombëtar, përfshirë pagesën simbolike dhe fyese .
Ndryshe konkursi ndërkombëtar funksionon sipas rregullativës ligjore në të kundërtën e humb validitetin.
Profesori ishte dorëhequr, organizatorët të alarmuar për dështimin eventual të konkursit e kishin organizuar mbledhjen e përbashkët me anëtarët e Jurisë profesionale, dhe të gjithë tani ishim para aktit të kryer. Më kot kisha insistuar që të riftohet profesori , më kot e kishim lutur dhe munduar që të bindnim shumëherë profesorin për tu kthyer dhe vazhduar punën.
Qëndrimin e fundit profesori do më kumtonte në telefonatë në prezencë edhe të dy kolegëve tanë që nuk pranon të vazhdojë punën po sikur t’i kushtojë edhe me jetë!
Ishte një përgjegje shumë e rëndë dhe drithëruese që të dëgjohej nga një ekspert i llojit të tillë. Paramendoni sa thellë i ka përjetuar rrethanat që kanë nxitur për një akt të tillë pikërisht në fillimin e punës me Jurin profesionale.
E kuptoja plotësisht botën e tij dhe më vinte keq që akoma nuk ishin krijuar kushtet dhe rrethanat e duhura për nivelin e tij profesional, sepse tranzicioni nuk kishte kursyer edhe këtë drejtim.
Diskrepanca e tij profesionale dhe intelektuale karshi masës akoma ishte e paarritshme, dhe ishte shumë e dhimbshme që potenciali i tij nuk arrinte të përhapej dhe vlerësohej në nivelin e duhur .
Atëherë të brengosur dhe të ngarkuar para përgjegjësisë morale, me propozimin dhe insistimin unanim të organizatorëve dhe anëtarëve të Jurisë profesionale, roli me përgjegjësi të jashtzakonshme i Kryetarit të Jurisë profesionale më ishte ndarë dhe mveshur mua pavarësisht hezitimit tim dhe kohës së shkurt të integrimit urgjent në rolin e Kryetarit.
Detyrimi ndaj punës së filluar të profesorit dhe imazhit të Kosovës karshi 43 pjesëmarrësve të konkursit nga bota ishin motivi kryesor i mobilizimit dhe sakrificës time ndaj vazhdimit dhe përfundimit të suksesshëm të punës bashkë me anëtarët e Jurisë profesionale dhe organizatorët e konkursit.
Gjatë punës kisha planifikuar të ftoja profesorin në ekspozitën përfundimtare që do të organizohej në Prishtinë. Për fat të keq para ekspozitës profesori ndërroi jetë, nuk e përjetoi kurorëzimin e punës që e kishim si amanet të pathënë, por me vete mori gjithë pezmin, kurse ne mbetëm të sfidohemi me të përditshmen tonë të hidhur./Media Ndërtimi.