Nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, kompania “RAD”, e regjistruar me dy adresa të ndryshme në Zveçan, në pronësi të biznesmenit serb, Radulle Steviq nga veriu i Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka fituar gjithsej 61 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. Këto projekte janë financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Pronari i kompanive P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O, Radulle Steviq është një ndër personat që u futën në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga kryetarë që vijnë nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila u formua më 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kompanitë P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O. që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës figurojnë në emrin e Steviqit, kanë fituar tenderë nga institucionet e Kosovës për një sërë projektesh, duke filluar nga ato infrastrukturore në komunat në veri, ndërtimi i banesave sociale, i çerdheve, renovimi i shkollave, furnizimi me pajisje të teknologjisë informative, furnizimi me materiale ndërtimore, furnizimi me mobilie e deri te prodhimi i pajisjeve të trafikut dhe sinjalizimit.
Tenderi me shumën më të madhe që ka fituar Steviq është për rindërtimin e infrastrukturës rrugore të pjesës së rrugës “Kralja Petra I” në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej 699,902 eurosh. Ky tender iu dha më 14 korrik të vitit 2020 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut., raporton Radio Evropa e Lirë.
Më 17 qershor të vitit 2020, Steviq fitoi tender në vlerë prej 389,906 eurosh për ndërtimin e qendrës rinore në Zveçan, tender i dhënë nga Kuvendi Komunal i Zveçanit.
Për rikonstruktimin dhe zgjerimin e ndërtesës së administratës komunale në Leposaviq, njëra nga kompanitë e Steviqit fitoi tender në vlerë prej 345,702 eurosh. Këtë tender të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, kompania e Steviqit e kishte fituar më 23 gusht të vitit 2018.
Ndërkaq, më 7 maj të vitit 2018, Steviq kishte fituar tender në vlerë prej 329,965 eurosh për rindërtimin e trotuareve të rrugës “Ivo Lola Ribar” në Mitrovicën e Veriut, tender i ndarë nga kjo komunë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ndërkaq, për ndërtimin e sallës së sporteve në Mitrovicën e Veriut, kompania e Steviqit fitoi 325,351 euro. Ky tender iu dha nga Komuna e Mitrovicës së Veriut më 4 dhjetor të vitit 2018.
Steviq kishte fituar tenderin edhe për ndërtimin e stacionit të zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej mbi 183,000 eurosh.
Përveç projekteve infrastrukturore, kompania e Steviq kishte marrë tender edhe për prokurimin e mobilieve për Komunën e Leposaviqit në vlerë prej 180,910 eurosh.