Arkitekti Arbër Sadiki i cili u emërua nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për ta menaxhuar Drejtorinë e Urbanizmit shkruan se realizimi i Unazës së Prishtinës, si e vetmja zgjidhje e çlirimit të trafikut brenda qytetit, nuk mund të realizohet pa një bashkërendim të të gjitha institucioneve duke filluar nga ato lokale deri tek ato qendrore e ndërkombëtare (në cilësinë e donatorëve).
Sipas Sadikit, Qyteti nuk do të çlirohet duke zgjeruar rrugët dhe ndërtuar parkingje gjigante në qendër të tij, në këtë mënyrë duke ftuar fluks më të madh makinash në qendër, por duke realizuar unazën e jashtme e cila do të shmangëte në masë të madhe kalimin nëpër qendër të qytetit për të shkuar në cilëndo lagje të tij (siç ndodhë tani). Në këtë drejtim, Drejtoria e Urbanizmit do të harxhojë energjinë e fundit për të kontribuar në cilëndo pikë të realizimit të saj.
Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të Kuvendit Komunal të Prishtinës në procesin e plotësimit të rregulloreve ekzistuese dhe përpilimit të rregulloreve të reja që kanë të bëjnë me zbatimin e dokumentëve planor në të mirë të qytetarëve të Prishtinës. Kjo drejtori do të jetë kurdoher e gatëshme për secilin anëtar të kuvendit të ofrojë sqarime shterruese teknike për cilëndo paqartësi të gjithësecilit.
Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të departamenteve simotra komunale, mbi të gjitha atë të Planifikimit dhe Inspektoriatin në mënyrë që i gjithë cikli investiv prej fazës së planifikimit e deri tek ai i futjes në shfryrëzim të investimit, të jetë brenda ligjit dhe rregullave të përcaktuara paraprakisht me të cilat investitori është pajtuar çastin e nisjes së investimit dhe si të tilla duhet t’i rrespektoj deri në fund.
Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të investitorëve në kërkim të zgjidhjeve më të mira për të gjithë. Një cilësi urbanistike më e mirë për qytetarët nënkupton edhe vlerë e shtuar për investitorët. Në këtë drejtim, nuk do të mjaftohemi vetëm me plotësimin e kritereve minimale të propozimeve që ofrohen nga investitorët, por do të angazhohemi të gjithë bashkarisht që brenda kriterve të domosdoshme të gjindet varianti më kualitativ i cili shkon si në të mirë të qytetarit, njëkohësisht edhe të investitorit. Propozimet e sjellura nga një investitor nuk do të shihen të ndara nga gjendja ekzistuese e lokacionit, zhvillimet që mund të jenë duke nodhur apo propozimet e investitorëve për rreth zonës që mund të jenë në proces të marrjes së kushteve urbanistike. Kjo na bënë të mundur që nga një qytet i fraksionuar, i pa integruar, pa vazhdimësi, me blloqe të izoluara, të kalojm në një qytet fluid ku blloqet lidhen natyrshëm mesvete pavarësisht investitorëve të ndryshëm që mund ti realizojnë.
Projektimi i ndërtesave dhe hapësirave publike do të zhvillohet përmes konkurseve të hapura arkitektonike kredibile. Në të tilla raste më shumë se sa përmbushja e programit të ngushtë funksional do të vlerësohet cilësia e gjërë që sjell ndërtesa në dimensionin urbanistik, publik e social.
Intervenimi në ndërtesat identitare të kryeqytetit të cilësdo periudhë kohore, qofshin ato të mbrojtura apo jo si asete të trashëgimisë arkitekturore, nuk do të lejohet pa ju nënshtruar një debati të gjërë publik tek i cili do të përfshihen të gjitha palët e interesit.
E fundit, por jo më e parëndësishmja, përkundrazi më prioritarja, shqetësimi i secilit qytetarë jo vetëm lidhur me zhvillimet në lagjen e tij, por kudo në Prishtinë sepse simbas parimit të qytetit të hapur çdo pikë e qytetit i takon njëlloj secilit, do të dëgjohet, analizohet dhe merret në konsideratë me profesionalizmin dhe përgjegjësinë maksimale.
Për fund po kthehem atje ku e nisa. Vendimin për t’ju futur kësaj pune e kam bërë me zemër, punën do e bëjë me zemër e mendje, por çastin e parë që e ndjej me zemër se fryma e qytetarit athinas, sidomos tek ata në pozita udhëheqëse pa funksionimin e të cilëve në sistem mundësia për të lënë një qytet më të mirë se sa që e gjejmë nuk duket gjetiu, praninë time në këtë pozicion do t’a vlerësoj të panevojshëm.
*Autori është arkitekt me profesion, dhe nga kjo e mërkurë është drejtor i Urbanizmit në Prishtinë. Ky opinion, është shkruar nga ai ekskluzivisht për Klankosova.tv./Media Ndërtimi.