Qiratë mujore në kryeqytet e rrethe të tjera, sidomos në bregdet, u rritën me shpejtësi dy vitet e fundit, pasi shumë individë zgjodhën që t’i jepnin ato me qira ditore, në platformat AirBnb, ose Booking, duke ulur ofertën për shtëpitë që jepen me afat të gjatë kohor.
Rendja drejt qirave ditore u nxit nga numri i lartë i turistëve që po vijnë në vend, që kërkonin të qëndronin vetëm disa ditë dhe ishin të gatshëm të paguanin më shumë, por edhe udhëtarëve vendas në qytetet turistike.
P.sh, nëse nga qiraja mujore mund të marrësh 300-500 euro në muaj, në varësi të qytetit (Tirana apo zonat bregdetare), nëse e jep me qira ditore çmimet variojnë mesatarisht nga 30-70 euro në ditë, megjithëse është rreziku që njësinë akomoduese të mos e japësh përditë me qira. P.sh. nëse e jep vetëm 10 ditë, me 30 euro në ditë, e ardhura mujore është 300 euro, ndërsa duhen llogaritur dhe kosto të tjera si pastrimi, energjia etj. Por, nëse e jep psh 20 ditë me 50 euro nata, e ardhura mujore është 1000 euro.
Por, a ia vlen që të japësh shtëpinë me qira ditore. Të dhënat e AirDna, (struktura për të dhënat e platformës AirBnb), që “Monitor” i disponon të detajuara japin një ide lidhur me kërkesën për qira ditore, çmimin mesatar për natë, numrin e strukturave të listuara, zënien si dhe të ardhurën mesatare ditore (në varësi të zënies së apartamentit), çmimin ditor të qiradhënies, për qytetet kryesore të vendit.
Vlora, kryeson për kthimin më të lartë, apartamenti është i zënë për gjysmën e muajit, çmimi maksimal arrin deri 98 euro/natë
Vlora është qyteti që ka numrin më të lartë të njësive akomoduese të listuara, që arriti në gati 7 mijë/muaj në gusht dhe shtator. Treguesi REVPAR, i cili mat të ardhurën ditore neto (e llogaritur në bazë të çmimit ditor dhe normës së zënies së njësisë akomoduese) ishte 39 euro për gjithë vitin 2023, me një rritje prej 43% në krahasim me vitin e mëparshëm. Si rrjedhojë, e ardhura mesatare mujore për një njësi të dhënë me qira në Vlorë është 1163 euro.
Norma e zënies në 2023 ishte 46.6%, çka nënkupton se në një muaj, shtëpia është e zënë për 14 ditë.
Qiraja më e shtrenjtë është në gusht, prej gati 98 euro nata, ndërsa norma e zënies po në të njëjtin muaj arriti në 70%, çka do të thotë që e ardhura ditore neto ishte 68 euro.
Në shtator, ndonëse njësitë kanë mbajtur sërish çmime të larta, në 72 euro/nata, norma e zënies ishte shumë më e ulët, në vetëm 32%, apo vetëm për 10 ditë, çka ka bërë që e ardhura mesatare ditore neto për shtatorin të zbresë në 23 euro.
Përgjatë gjithë vitit vlonjatët kanë fituar gati 26 milionë euro nga dhënia e shtëpive me qira ditore.
Tirana, fitohet mesatarisht 700 euro në muaj, me qira ditore./Media Ndërtimi