Aktuale
Rrënimi dhe mbytja e qyteteve nga represioni sërb sipas arkitektit Bogdan Bogdanović
Published
3 years agoon
Bogdanović u lind më 1922 në Beograd dhe ishte përfshi në rezistencën antifashiste që në vitin 1941. I shkolluar për arkitekt në Beograd, pas Luftës së Dytë Botërore projektoi më se 20 monumente për viktimat e luftës dhe të fashizmit. Dy prej tyre, ai në Jasenovac dhe tjetri në Vukovar, u njohën ndërkombëtarisht.
Ai ligjëroi urbanologji në Universitetin e Beogradit dhe përveçse autor i shumë artikujve qoftë për arkitekturë apo komente politike, mjaft prej të cilëve të botuar edhe nëpër revista ndërkombëtare, ishte edhe autor i disa librave. Në vitet 1980 drejtoi Komunën e Beogradit ndërsa më 1981 dha dorëheqje nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve ngaqë nuk pajtohej me politikat nacionaliste të këtij institucioni.
Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, duke qenë majtist i flaktë, e kundërshtoi rreptë nacionalizmin serb.
Vëllimi i ADMOVERE për Bogdanović-in përfshinë fragmente në të cilat ai kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës gjatë viteve ‘90 dhe raportet e saj me Serbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.
Për shembull, ai i kundërshtonte standardet e dyfishta të përfaqësuesve të regjimit serb gjatë viteve ’90, të cilët për Krajinën në Kroaci kërkonin autonomi me të drejtë për shkëputje, ndërkaq Kosovës këtë ia mohonin kategorikisht.
Për më shumë, Bogdanović është i pari serb që qysh më 1990 e tha publikisht se në Kosovë ishte tashmë vonë edhe për republikë, duke e konsideruar dëshirën e shqiptarëve për bashkim si të drejtë legjitime.
Për më tepër, ai nuk mbështeste ankesën serbe se situata demografike në Kosovë po ndryshonte me rritje të popullsisë shqiptare.
Argumenti i tij ishte se për njëqind vjet sa Kosova ishte pjesë e Serbisë, serbët iknin prej andej e një prej arsyeve për këtë ishte zhvendosja në pjesë më të pasura, duke ua shitur tokën shqiptarëve për një çmim të mirë.
Ideja e tij ishte se territori ku jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë që përbëjnë mbi 90% të popullatës së atij territori, u takon njerëzve që jetojnë aty dhe kjo i duhet thënë popullit serb, ndonëse të gjithë e dinë, por nuk kanë forcë a guxim që ta pohojnë.
Në fund të viteve ‘80, arkitekti i mirënjohur nga Beogradi Bogdan Bogdanović po kthehej nga Mitrovica duke udhëtuar me një shofer shqiptar në veturë me targat e këtij qyteti. Në njërën prej shumë intervistave të tij në mediat jugosllave, në dhjetor të vitit 1989 ai kishte thënë që gjatë kësaj përvoje e kishe kuptuar se ç’do të thoshte me qenë shqiptar në Yugosllavi: “Gjithçka na bënë gjatë rrugës: i binin burisë, fishkëllonin, kërcënonin se do të na shtypnin me kamion”.
Në prag të shkatërimit të ish-Jugosllavisë, represionin dhe aparteidin e Serbisë në Kosovë që do të intenfisikohej gjatë viteve ‘90, Bodanović e kishe cilësuar fashizëm, duke shtuar se këtë “populli sërb, ne sërbët, fëmijët dhe nipat tanë, do ta mbajmë në ndërgjegje”. Rrënimin dhe mbytjen e qyteteve dhe të njerëzve në Kosovë, si dhe mungesën e vetëdijes sërbe për këtë, Bogdanović e kishte konsideruar tragjedi morale të popullit sërb.
Bogdanović është pjesë e grupit të intelektualëve serbe që i kundërshtonin shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Serbia më 23 mars 1989 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, madje edhe më tej. Këto shkelje kulmuan gjatë viteve 1998–1999 në krime lufte e krime kundër njerëzimit, me vrasjet e afro 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra, në veçanti grave, depërtimin e gati një milion shqiptarëve, djegien dhe shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me dëme të tjera shpirtërore e materiale.
Me qëllim për të përmbledhur qëndrimet e intelektualëve serbe që kishin kundërshtuar represionin shtetëror serb ndaj shqiptarëve gjatë viteve ‘90, organizata ADMOVERE lancoi projektin “Sërbia tjetër”, me mbështetje nga KFOS. Për këtë qëllim janë hulumtuar gjerësisht artikuj dhe intervista të botuara gjatë këtij harku kohor prej mbi tri dekadash nëpër gazetat ditore dhe publikimet javore të Kosovës, të Serbisë, e më gjerë.
Në vëllimin e parë të publikuar më 2021 janë përfshirë fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, arkitektit Bogdan Bogdanović, në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90.
Autori i analizës me titullin “Bogdan Bogdanović, një intelektual për t’u mbajtur mend” është Shkëlzen Gashi i cili ka studiuar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës.
Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006. Ky shkrim është publikuar në kosovotwopointzero.com./ Media Ndërtimi.
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi