Gërmimet në territorin ku ngrihej shkolla “Gjergj Kastrioti” e dëmtuar nga tërmeti, nxorën në pah një pishinë të zbukuruar me mozaikë dhe afreske, që besohet se i përket shekujve 1 e të 2 të erës sonë.
Gërmimet arkeologjike në oborrin e shkollës “Gjergj Kastrioti” të Durrësit, e cila pritet t’i nënshtrohet rindërtimit të plotë, kanë nxjerrë në dritë fragmentet e një pishine me dysheme prej mozaiku, si dhe me faqe anësore të pikturuara me afreske.
Zbulimet e vazhdueshme në këtë territor i kanë bërë arkeologët mjaft të ndjeshëm për të ardhmen e të gjithë sipërfaqes ku tashmë është zbuluar një vilë rezidenciale, e shekullit të 1-2 të erës sonë.
“Durrësi i lashtë ka qenë një nga pikat e orientimit të Mesdheut, si për bregdetin Adriatik edhe për prapatokën ilire”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita, i cili drejton gjatë kërkimeve aktuale një grup me rreth 20 specialistë, arkeologë, skicografë, ekspertë të mozaikëve e të tjerë.
Profesor Përzhita tha se në fillim të mijëvjeçarit të parë Durrësi ishte një pikë kontakti për perandorinë Romake. Qyteti jo më kot kishte prerjen e monedhave të veta, apo edhe bankat e veta.
Me zbulimet e reja specialistët arkeologë janë përqendruar në dy kuadratet e pishinës së sapo zbuluar dhe ku sipërfaqja e përgjithshme pritet të arrijë në 60 metra katrorë.
Përzhita është entuziast dhe nënvizon se elementet e mozaikëve janë një tregues i fuqisë ekonomike të qytetit, dhe nuk është habi që këto banesa të jenë shfrytëzuar edhe gjatë vizitave nga perandorë romakë.
Ekspedita në këtë sit do të vijojë për afro dy muaj të tjerë dhe arkeologët shpresojnë të kuptojnë prej saj se çfarë ndodh në nëntokën e sipërfaqes ku u ngrit në vitin 1968 shkolla e mesme e përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Godina që u dëmtuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 pritet të rindërtohet, pas monitorimin arkeologjik dhe përfundimeve të paraqitura nga grupi i drejtuar nga profesor Përzhita./Media Ndërtimi