Connect with us

Aktuale

Reagojnë artistët për anulimin e procedurës për “Blerjen e veprave të artit” në vlerë prej 250 mijë €

Published

on

Anulimi i procedurës për “Blerjen e veprave të artit” është veprim përmes së cilit MKRS instrumentalizon 68 artistë për të mbuluar neglizhencën dhe keqmenaxhimin e këtij institucioni ndaj krizës që ka kapluar skenën e kulturës që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit 2020.

Nga maji i vitit 2020, përmes deklarimeve publike, PART ka shprehur domosdoshmërinë që Pakoja Emergjente e zotuar nga Qeveria e Kosovës në mars të po atij viti, të implementohet ashtu siç ka qenë e parashikuar – të intervenojë në dëmet sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga kriza pandemike. Pakoja Emergjente asnjëherë nuk është ekzekutuar por është kamufluar me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, kapërcim i cili deri tani nuk është i justifikuar nga institucionet publike për artistët dhe publikun.

Kapërcimi jo-transparent i intervenimit emergjent si dhe mungesa e strategjisë së qartë për implementimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka krijuar një narrativë ku MKRS tenton që njëkohësisht të ofrojë ndihmë sociale për artistët dhe në anën tjetër të pasurojë ‘Fondin Shtetëror’ me vepra të artit përmes një ‘thirrjeje’ të vetme. Ky synim është i pamundur duke qenë se ndihma sociale dhe pasurimi i fondit shtetëror janë dy procese që kërkojnë qasje, kritere dhe forma vlerësimi të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo politikë në vetvete është kontradiktore dhe si e tillë e ka të pamundur përmbushjen substanciale të të dy qëllimeve, pa sakrifikimin e njërës apo tjetrës. Pikërisht, kjo kontradiktë është shpërfaqur me antagonizmin e shprehur në diskursin publik, pas shpalljes së “veprave të zgjedhura” më datën 8 dhjetor 2021 dhe anulimin e menjëhershëm të saj me datën 10 dhjetor 2021.

Vendimi ad-hoc, i pajustifikuar dhe autoritar i MKRS-së, për anulimin e procedurës “Thirrja publike për blerjen e veprave të artit të artistëve vendor” ka dëmtuar dhe rrezikuar thellësisht kohezionin shoqëror duke shkaktuar antagonizëm në mes artistëve, MKRS-së, dhe publikut, e fuqizuar përmes mbulimit të njëanshëm të çështjes në fjalë nga mediet. Përmes këtij anulimi, në formë indirekte, MKRS e ka delegjitimuar vetveten duke e përmbysë si të parregullt politikën që vet e ka përpiluar. Ndërsa, në formë direkte, ky vendim ka shkaktuar dëmtim të statusit të artistëve, cënim të veprimtarive të tyre artistike si dhe kërcënim të mirëqenies ekonomike në të ardhmen.

Duke u bazuar në të gjithë parametrat që shtjellohen në këtë deklaratë, PART i parashtron MKRS-së kërkesat si mëposhtë:

  1. Kërkojmë nga MKRS që të ofrojë justifikim zyrtar rreth bazës mbi të cilën është marrë vendimi për anulimin e procedurës “Thirrje për blerjen e veprave të artit të artistëve vendorë”.
  2. Kërkojmë që procedura e krijimit të Fondit Shtetëror me vendimin Nr. 11/24, të datës 11.08.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të kthehet në fuqi dhe të implementohet siç është deklaruar në thirrjen zyrtare të MKRS-së:

“Pasurimi i fondit shtetëror të artit të Kosovës ka për qëllim ruajtjen dhe mbështetjen institucionale të praktikave artistike multi-disiplinare, që në vetëvete përmbajnë trajta të ndryshme estetike, dhe që tregojnë përkushtim dhe ngrisin në diskutim diskurse të rëndësishme të kohës, duke kontribuar drejt një ekosistemi kulturor të barabartë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë. Përmes pasurimit të këtij fondi publiku vendor dhe ndërkombetar do të ketë qasje në vepra artistike bashkëkohore të krijuara në Kosovë.”

  1. Kërkojmë nga MKRS që t’i marrë parasyshë kërkesat e vazhdueshme të artistëve të pavarur dhe të krijojë rregulloren adekuate për të mundësuar intervenim në zbutjen e dëmeve në mirëqenien sociale të shkaktuara nga pandemia. Deklarojmë se ky proces duhet të implementohet ndaras prej politikave të “blerjes së veprave për pasurimin e fondit shtetëror”.

PART (Punëtorët në Art)

PART është lëvizje që ka për qëllim përmirësimin e kushteve materiale dhe të politikave publike në art dhe kulturë. Punëtorët në Art përbëhet nga artistët, hulumtuesit, kuratorët si dhe punëtorët e pavarur kulturorë në Kosovë./Media Ndërtimi.

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending