Në një kthesë drejt përdorimit të burimeve të ripërtritëshme, qytetarët dhe bizneset në Kosovë po ecin drejt së ardhmes së qëndrueshme energjetike. Megjithatë, procedurat e gjata burokratike po e vështirësojnë këtë tranzicion.
Kosova vazhdon që bazën e energjisë elektrike të prodhuar në vend ta ketë thëngjillin, burim energjetik, të cilin dalëngadalë shumë vende në botë po zotohen ta eleminojnë në luftën botërore kundër krizës klimatike. Teksa 90% e energjisë së prodhuar në Kosovë vjen nga thëngjilli, vetëm 7.9% gjenerohet nga burimet e ripërtritëshme si era dhe dielli.
Tranzicioni energjetik nga thëngjilli në burime të ripërtritshme vazhdon me ritëm të ngadatë për shkak të procedurave të gjata burokratike. Kjo e vështirëson edhe përmbushjen e synimit të Qeverisë së Kosovës, me Ministrinë e Ekonomisë si ministri e linjës, që deri në vitin 2031, konsumi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtritshme të energjisë të jetë 35%.
Numri i licensave të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE), tregon për trendin në rritje të konsmatorëve që duan të prodhojnë për vete energji të ripërtritshme. Ndonëse sot shembujt janë të shumtë, përdorimi i burimeve të ripërtërishme në Kosovë nuk ka histori të gjatë.
Pioner i kësaj fushe në Kosovë është kompania “Elen Solar”, me pronarë Lulzim Syla bashkë me vëllezërit e tij, Afrimin dhe Avniun. Me një përvojë mbi 30-vjeçare në instalime elektrike në shtëpi e ndërtesa, ata gjithmonë kishin ndjekur trendin e tregut duke përcjellur panaire të elektrikës. Ato u ndihmuan që të ishin në hap me zhvillimet e kohës e kështu të nxjerrin ide të reja.
“Kudo që shkoja në panaire e shihja që tash po vjen kohë e re me [energji] solare. Në fakt, në Evropë vetëm kishte ardhur. Por, me vete thashë po ia nisim edhe na kësaj pune”, tregon Lulzim Syla, për kohën kur kishte filluar ta nxiste kompaninë për t’u marrë me zhvillimin e energjisë diellore 10 vite më parë.
Teksa planifikimet strategjike të rritjes së kompanisë i takonin atij si ekonomist me profesion, në projeksionet e atëhershme nisi që të ndajë buxhet, kohë dhe investim në zhvillimin e energjisë diellore nëpërmes paneleve foto-voltaike — një panel drejtkëndësh që shtrihet me sy ka dielli. Ai është i mbushur me qeliza foto-voltaike, të cilat kur rroken me rrezet e diellit, shpërbëjnë elektronet, duke i bërë të lëvizin. Lëvizja e elektronëve krijon tensionin që me diferencën e tij krijon energjinë elektrike.
Kjo teknologji, e zbuluar në vitet e ’70-a në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte ndjekur një trajektore të fuqishme duke kaluar nga një eksperiment në përdorim të gjerë pasi ulte shumëfish koston e energjisë elektrike. Në vitin 1999, Gjermania kishte lansuar një program në vlerë prej 500 milionë dollarësh që quhej “100,000 kulmet diellore”, teksa në më pak se një dekadë, në vitin 2007, investimet botërore në energjinë e pastër tejkaluan 100 miliardë dollarë, me energjinë diellore si teknologjinë kryesore të energjisë së pastër.
***
Procedurat burokratike po ngadalësojnë tranzicionin në energji të qëndrueshme
Aprovimi institucional për instalimin e panele foto-voltaike në kulmin e shtëpisë apo biznesit, sikur prosumers, pra për përdorim individual, merr deri ose mbi një muaj.
Radha e dokumenteve dhe ecejakeve nga një institucion tek tjetri është e gjatë dhe kjo ka shtyrë që shumë kompani që instalojnë panele diellore, sikur edhe “Elen Solar”, të shtojnë këtë shërbim për klientët e tyre. Ata marrin përsipër që të kryejnë të gjitha procedurat deri në instalim.
Për të instaluar panele diellore, edhe si konsumator individual, duhet autorizimi i ZRrE. Më pas procedurë pas procedure, sipas rregullores së së ZRrE të nxjerrë në vitin 2022, qytetarët duhet të sigurojnë dëshminë nga operatori i sistemit për konsumin vjetor të energjisë, vlerësimin e prodhimit vjetor të kWh nga vetë-gjeneratori i propozuar, marrëveshjen për kyçje me operatorin e sistemit dhe tutje pëlqimin e komunës për instalimin e pajisjeve për vetë-konsum, nëse kërkohet me legjislacion përkatës për ndërtim.
Në rastet e kompanive, procedurat janë më të gjata pasi shkojnë deri në 13 hapa — kërkohen dokumente që lidhen me bordin e kompanisë,studime fizibiliteti teknik e financiar kur bëhet fjalë për prodhim energjie mbi 1MW dhe dokumente tjera.
Caqet për energjinë e ripërtritëshme të Qeverisë së Kosovës deri në vitin 2031 janë që 35% e energjisë të gjenerohet nga burimet e ripërtritëshme.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, nëpërmes Ministrisë së Ekonomisë, ka hapur ankandin e parë për energji diellore me kapacitet 100 MW. Ankandi do të jetë i hapur deri në fund të janarit të vitit 2024 dhe më pas do të shpallet fituesi që do të fillojë ndërtimin në fshatin Kramovik të Rahovecit.
Ankandi do t’u ofrojë investitorëve sigurimin e çmimit të garantuar të shitjes së energjisë për 15 vjet, procedura administrative të harmonizuara me agjencitë qeveritare dhe sigurimin e tokës pa kosto. Fitues pritet të shpallet kompania ose konsorciumi që oferton me çmimin më të ulët të garantuar të blerjes së energjisë.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. /Media Ndërtimi