Sa herë bie shi, Mario Doka nga Fshati i Klosit i duhet të përleshet me rrëketë. Ai thotë se ato vijnë nga kanalet e papërfunduara të një degëzimi të Rrugës së Arbërit, që lidh Matin me rrugën kryesore.
Sipas banorit, punimet në rrugë kanë devijuar ujërat e rrëkeve dhe ato vijnë të gjitha mbi shtëpinë e tij dhe megjithëse ishte premtuar ndërhyrje mbrojtëse, kjo nuk ka ndodhur.
“Problemet janë pa fund, se vijnë e thonë në fillim se do të bëjmë murin, do të bëjmë këtë e atë dhe sa fusin këmbët, nuk mbajnë asnjë lloj premtimi, sikur me u tall,” tha Doka.
Rruga e Arbërit dhe degëzimi që prek familjen Doka po ndërtohet përmes partneritetit publik-privat nga kompania “Gjoka Konstruksion”.
Sipas kontratës së miratuar nga Këshilli i Ministrave, projekti pritet t’u kushtojë taksapaguesve 253 milionë euro kosto ndërtimi dhe interesa përgjatë 13 viteve.
Rruga e Arbërit do të lidhë Tiranën me kufirin në Maqedoninë e veriut në Dibër, përmes një rruge malore rreth 100 kilometra të gjatë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se rruga do të ingaugurohej më 29 nëntor.
Megjithatë, një duzinë banorësh nga Fshati i Klosit ankohen se ndryshe nga premtimet, muret mbrojtëse dhe kanalizimet nuk janë përfunduar, duke u rrezikuar atyre banesat dhe jetën.
Kompania “Gjoka Konstruksion” i tha BIRN se ishte bërë një ballafaqim me banorët në 6 nëntor dhe ishte arritur një marrëveshje, në prani edhe të kryebashkiakut të Klosit, Ilmi Shehu
“Si rezultat i këtij ballafaqimi të kryer, ju informojmë se palët e interesuara janë sqaruar dhe dakordësuar,” tha kompania.
Por Mario Doko mohon që të jetë arritur ndonjë dakordësim. Ai pranoi se takimi ishte zhvilluar dy ditë pasi BIRN vizitoi zonën, por shtoi se ata nuk morën zgjidhje.“
Nuk kemi arritur asnjë marrëveshje. Kanë ardhur sa me na hedh hi syve, se po ju dëgjojmë. As muret dhe as dëmet tjera nuk i kanë zgjidhur,” tha Doka në një bisedë telefonike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Klos nuk iu përgjigjen pyetjeve për koment në lidhje me akuzat e banorëve.
Banorët e zonës thonë se prej kohësh janë përballur me indiferencë, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga kompania koncesionare.
Sipas tyre, edhe në fillim të punimeve, kishte një dakordësi me kompaninë se do të ndërtoheshin muret mbrojtëse dhe do të kompensoheshin dëmet në banesa, por ata deklarojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur./Media Ndërtimi.