Projekti turistik ndër më të rëndësishmit që nga paslufta në Kamenicë, shndërrimi i Liqenit Artificial të Rubovcit në qendër rekreacioni për turistët ka hasur në pengesa. Investimi rreth 400 mijë euro rrezikon të mbetet pa rrugë për shkak se traseja kalon nëpër prona private.
Pronën që e kishte blerë viteve të 80-ta, tash po e viziton më shpesh. Jo se ka filluar ta punojë, por Shaip Maliqi ka një problem me Komunën e Kamenicës.
“Të gjitha makineritë kishin qenë këtu tu punu në pronën time, tu e hapë rrugën. Disa e bajshin dheun me kamiona. U ndala i pyeta a bënë kështu (pa më pyet). Ata thanë projekti është këtu. Ahh, ani thash. Edhe ata shkuan me hangër bukë, ne e matëm me gjeodetin tokën time. Kur e panë këtë veprim timin i mblodhën makineritë edhe dolën nga këtu”, deklaron ai.
Nëpër pronën e tij po planifikohet të kalojë rruga që të dërgon për në Liqenin e Rubovcit. Vend në të cilin po investohet për turizëm. Për ta zgjidhur këtë problem Maliqi thotë se është takuar personalisht me kryetarin, Kadri Rahimaj.
“Ai më tha Kryetari, mundemi me e shpronësu edhe me ta kompenzu, tjetra zgjidhje sipas kryetarit ishte që me pagu. Ndërsa tjetra zgjidhje sipas Kryetarit ishte që mundem me e shpallë interes nacional edhe me e qitë kë Kuvend Komunal, edhe më tha kështu ta marrim tokën edhe nuk të pyetim hiq. Ai tha tokën mundem me ta marrë me zor bile bile tha edhe djalin ta largoj prej punës”, ka thënë për RTV Dukagjini Maliqi.
Kjo ngjarje ka bërë që punët në rrugën që jetëson projektin rreth 400 mijë euro të mos vazhdojnë. Megjithatë makineritë që punonin në rrugën që të sjellë këtu në Liqenin artificial të Rubovcit janë tërhequr. Ato janë zhvendosur në zonën e liqenit ku po punohet në ndërtimin e një fushe të sportit”
Shefi i Kabinetit të Kryetarit e mohon se e kanë kërcënuar pronarin e parcelës.
“Nuk ka pasur asnjë kërcënim nga ana e kryetarit të Komunës. Ai veç i ka tregu për mundësitë, i është drejtu shumë thjesht: a e ki ndonjë propozim me ofru, ai (Maliqi) ka thënë jo veç du me ma kthy në gjendjen se si ka qenë. Kryetari jam shumë i bindur që nuk e di as as ka fëmijë apo jo. Po tash duhet me e pa arsyen pse nuk ka marrëveshje. Ne që sot që tani, jemi të gatshëm ta bëjmë marrëveshjen me pronarin”, shprehet Shefi i Kabinetit të Kryetarit, Vaxhid Rexhepaj.
Takimi me Maliqin mund të ndodhë, por me shumë gjasë në sallën e Gjykatës.
“E kemi lajmëru rastin në Policinë e Kosovës, në anën tjetër kemi hapë procedurë në kontestin civil. Sot e kemi bërë padi në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Kamenicë. Ne kemi kërkuar që të caktohet masa e përkohshme dhe të ndalohen punimet. Kjo pasi që Komuna e Kamenicën ka hyrë në mënyrë arbitrare në atë pjesë të pronës private”, shprehet avokati i Maliqit, Shefqet Rexha.
Kompania që po kryen punët RTV Dukagjinit i thanë se kanë vepruar në përputhje me udhëzimet që kanë marrë nga Komuna.
“Asnjë devijim nga projekti nuk ka ndodhur deri më tani, në segmentin kritik punët janë pezulluar përkohësisht deri në një zgjidhje mes palëve, Komunës së Kamenicës dhe pronarit të pronës.”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kompanisë punuese “Plural Sh.P.K”.
Përkundër mosmarrëvëshjes për rrugën punët po vazhdojnë. Komuna zotohet se projekti do të realizohet ndërsa pronari i tokës zotohet se nuk do të lëshojë pe. Problem që tash ka kaluar në duart e Gjykatës.