Në vitin 2019 Bashkia Tiranë prezantoi aplikacionin Tirana Ime, ku pilotoi matjen në kohë reale të cilësisë së ajrit.
“Një nga gjërat që dua të vlerësoj jashtë mase është se kemi marrë, le të themi, teknologjinë më të fundit dhe nuk ka tjetër në rajon”, shprehej në 2019 kreu i bashkisë Erion Veliaj.
Në bashkëpunim më një kompani private telefonike krijoi aplikacionin “Tirana ime”, për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të shohin të dhënat mbi cilësinë e ajrit të matur nga Bashkia Tiranë.
Ky aplikacion i krijuar me mbështetjen e një kompanie private telekomunikacioni u përditësua pak muaj më parë, kur Bashkia Tiranë prezantoi aplikacionin Tirana ime 2.0 duke u shprehur se ky do të ishte një version më i përparuar.
“Pajisjet u amortizuan për tre vite”
Pas rikonceptimit, opsioni “Cilësia e Ajrit” është hequr nga aplikacioni “Tirana ime 2.0” dhe të dhënat për ajrin në Tiranë mungojnë.
Në një përgjigje për Citizens Channel, Bashkia Tiranë u shpreh se matëset e ajrit kërkojnë rinovim.
“Matësat e ajrit, të cilat mundësonin raportimin për Cilësinë e Ajrit në Tirana Ime 1.0 App, aktualisht kërkojnë rinovim të pjesëve, zëvendësim me teknologji më të re. Jemi duke punuar për rikthimin e kësaj rubrike në Tirana Ime 2.00″, u shpreh Bashkia Tiranë në një përgjigje me shkrim.
Që prej vitit 2009 realizimi i matjes së cilësisë së ajrit në Tiranë është kryer me stacion automatik, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Teksa “Tirana ime” nuk disponon më të dhëna, mungesë të tyre ka edhe në institucionet e tjera.
Të dhënat e fundit (dhe të vetmet) mbi monitorimin e cilësisë së ajrit nga Instituti i Shëndetit Publik, janë të viteve 2016, 2017. Citizens Channel i dërgoi një kërkesë për informacion ISHP-së për të dhënat e cilësisë së ajrit, por nuk mori përgjigje.
Agjensia Kombëtare e Mjedisit gjithashtu nuk disponon të dhëna për ajrin në Tiranë.
Në raportin e vitit 2018 të gjendjes së mjedisit (RGJM), nuk ka të dhëna mbi cilësinë e ajrit.
Ndotja e ajrit shfaqet në kopertinë, por në brendësi të raportit nuk asnjë informacion.
Sipas RGJM e vitit 2018, nënvizohet se monitorimi i cilësisë së ajrit urban për vitin 2018 me stacionet automatik nuk është realizuar për shkak të pamundësive për të realizuar kualidimin e aparaturave.
Edhe në vitin 2020, të dhënat për Tiranën nuk shfaqen të plota. Teksa AKM jep të dhëna të detajuara për Gjirokastrën, Beratin dhe Kukësin, nga Tirana ka të dhëna nga një stacion i vendosur në zonënë e Saukut.
Teksa në vitin 2021 të dhënat për cilësinë e ajrit në Tiranë mungojnë në raportin vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM)./Media Ndërtimi.