Ditë më parë, Liburn Aliu, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, në një konferencë për medie, e konfirmoi se e ka pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një incineratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt. Aliu theksoi se ka dyshime në lidhje me këtë pëlqim. Megjithatë, investitori, të cilit iu pezullua leja, do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit, prej të cilës do të kërkojë hiç më pak se 70 milionë euro kompensim. Çka ndodhi?
Më 1 gusht, Aliu doli në një konferencë për media, ku njoftoi se e ka pezulluar lejën për incineratorin për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizaj. Në konferencën e gjatë për media, Aliu theksoi se dyshon se dikush ka interes nga ky projekt, që kap vlerën e 140 milionë eurove, shkruan Nacionale.com
Tutje, Aliu deklaroi se pëlqimi mjedisor kësaj kompanie iu është dhënë pa dijenin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.
“Në maj, befas na vjen një kompani dhe thotë se ne kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave, e po ashtu kemi marrë leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt, dhe në Ferizaj do të ndërtojmë incinerator.” – tha ai në konferencën për medie.
Pas auditimit, Aliu e konfirmoi shkarkimin e komisionit brenda Ministrisë së Infrastrukturës, i cili i ka dhënë pëlqim mjedisor kompanisë në fjalë për ndërtimin e incineratorit.
Por duket se Kosovës mund t’i dal problem nga pezullimi i kësaj leje. Në një komunikatë, kompania, më saktësisht investitorët Erdi Rproducts. Llc dhe Indaver Holding njoftoi se janë duke përgatitur padi ndaj Aliut për veprën e shantazhit dhe konfliktit të interesit dhe ndërhyrjen në procesin e projektit.
Në përgjigjen e tyre, kjo kompani theksoi se do t’i drejtohet edhe arbitrazhit, ku do të kërkojë kompensim prej 70 milionë euro.
“Investitorët Erdi Rproducts.llc & Indaver Holding për projektin e ndertimit te termocentralit për trajtimin termik të mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme në Ferizaj investimin prej 140 Milion € janë duke përgatitur kallëzim penal kundër ministrit Liburn Aliu si në vijim: Shantazh dhe konflikt interesi dhe ndërhyrje në procesin e projektit.
Juristët e kompanive të sipërpërmendura do të adresohen edhe në gjykatën e arbitrazhit për kompensim nga qeveria e Kosovës, duke kërkuar nga arbitrazhi kompensimin prej 70 milionë eurosh.” – deklaroi kompania në një komunikatë për medie.
Ndryshe për gjashtë muajt e vitit të kaluar, pra janar-qershor 2022, institucionet e Kosovës, përfshirë edhe komunat e vendit, kanë shpenzuar 20 milionë e 700 mijë euro, 3 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë për vitin 2021, në procese gjyqësore.
Sipas raportit gjashtë-mujor financiar të Thesarit të Buxhetit të Kosovës, del që institucionet publike kanë shpenzuar për pagesa të vendimeve gjyqësore 20 milionë e 753 mijë euro./Media Ndërtimi