Atë që e quante gjatë fushatës “Prishtina e Përjetimeve”, duket se është kthyer në “Prishtinën e shkarkimeve”.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, e ka çuar drejt shkatërrimit koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo duke e shkarkuar fillimisht drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, kurse dje edhe nënkryetaren Donjeta Sahatçiu.
“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, shkroi Rama dje në facebook.
“Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, thuhet në postim.
“Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale”, tha ai.
Megjithatë, përtej arsyetimeve që dha kryetari i Prishtinës, arsyeja për shkatërrimin e koalicionit del të jetë krejt dikund tjetër. Ndërlidhet me këmbimin e pronave të Badocit me ato të Prishtinës së Re, të cilën e kundërshtoi edhe PDK-ja.
Kështu la të nënkuptohet edhe vetë nënkryetarja e PDK-së pas shkarkimit.
“Prishtinë deri herën tjetër, faleminderit! ❤️ Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare. Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër! 🌻 Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon.. #PrishtinaNaBashkoi #BadociNaNdau”, shkroi ish-nënkryetarja e kryeqytetit.
Kurse, asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, shkroi në rrjete sociale se PDK-ja sërish nuk do ta lejojë këmbimin e pronave.
“Jemi zotuar që nga fillimi i këtij mandati që do t’i dalim kundër çdo vendimi që është në dëm të interesit publik. Në mbrojtje të parimeve i përballojmë edhe sakrificat. Këmbimi i pronave në Badovc nuk kalon!”, shkroi ai.
Mbetet të shihet tash nëse Përparim Rama do të tentojë ndonjë koalicion me parti të tjera, apo ai edhe zyrtarisht do të mbetet pa shumicën në Kuvendin Komunal./Media Ndërtimi