Në Raportin Financiar thuhet se norma e ulët e ekzekutimit “është kryesisht rezultat i dinamikës së pagesës së faturave të fundvitit fiskal 2021, të cilave u është dhënë prioritet që të paguhen para datës 31 dhjetor, 2021, dhe të mos barten në vitin vijues”.
Bartja e pagesës së faturave të fundvitit në vitin vijues fiskal “zakonisht jep një pasqyrë më të lartë të shpenzimeve kapitale për gjysmën e parë të vitit” – gjë që nuk ka ndodhur këtë vit, thuhet në raport.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave për arsyen e mosekzekutimit të mjeteve për projekte kapitale, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas tij, dinamika më e ulët e investimeve është edhe rezultat i ngadalësimit të punëve nga ana e operatorëve ekonomikë, për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.
Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, arsye e mosrealizimit të projekteve kapitale është, po ashtu, mosfunksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Aty ka qenë ajo hallka, ku për sa kohë, nuk ka qenë i kompletuar Bordi i OSHP-së…”, thotë Rafuna.
Organi Shqyrtues i Prokurimit, për më shumë se një vit, nuk ka qenë funksional. Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e re të bordit të tij.
Ky organ, që ndryshe njihet si Gjykata e Tenderëve, është institucioni kryesor që merret me shqyrtimin e tenderëve publikë.
Rafuna thotë se Qeveria duhet të gjejë mënyra për t’i zhbllokuar investimet kapitale, sepse ka rënë qarkullimi financiar i bizneseve.
Sipas tij, dinamika e ulët e realizimit të investimeve rrit shkallën e papunësisë dhe, rrjedhimisht, zvogëlon mirëqenien e qytetarëve.
Si mund të gjendet zgjidhja?
Autoritetet kompetente duhet t’i ndihmojnë bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve, thotë Rafuna.
“Këtë praktikë e kemi parë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku Qeveria ka subvencionuar nivelin e çmimit”, thotë ai.
Nga Ministria e Financave e Kosovës kanë thënë në fillim të këtij muaji se kanë hartuar Projektligjin për punë publike, për të përshpejtuar dinamikën e zbatimit të investimeve kapitale në pjesën e dytë të vitit.
Ministri Hekuran Murati ka thënë se të gjitha punët publike do të mbështeten “me kompensim për çmimet e rritura”, por nuk ka sqaruar se në çfarë forme ose me sa për qind.
Në Kosovë, norma e inflacionit ka arritur në 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave.
Vetëm kostoja e ndërtimit, këtë vit, ka pasur rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
Çmimi i çimentos, që është një nga materialet më të përdorura ndërtimore në Kosovë, është rritur tri herë.
Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro.
Rritja e inflacionit gjetkë në botë ka nisur vitin e kaluar, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, por ka vazhduar me ritëm më të shpejtë pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit./Media Ndërtimi.