Një ndarje e parcelës, e cila sipas Prokurorisë ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa aprovimin e njërit prej bashkëpronarëve Gjevlekaj, ka vënë përpara drejtësisë inxhinierin e gjeodezisë Bajram Selmani dhe gjeodeten e Komunës së Prizrenit, Luljeta Rizanaj.
Për këtë çështje, Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Pos dënimit, përfaqësuesi i Prokurorisë, Mehdi Sefa, kërkoi që Gjykata të shqiptojë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit dhe marrjen e licencës për tre vite të akuzuarve.
Për Prokurorinë, i akuzuari Bajram Selmani kishte bërë parcelizimin apo ndarjen e tokës me numër 488 dhe 518, pavarësisht faktit se njëri prej bashkëpronarëve, Gjek Gjevlekaj, nuk e kishte dhënë lejen, nënshkrimin e as dokumentin e identifikimit për ndarjen e pronës së përbashkët, raporton Kallxo.com.
“Ndarja e parcelës në 1/4 është bërë po ashtu në mënyrë jo të barabartë, e në këtë rast i janë shkelur të drejtat bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj nga këtu i akuzuari”, shtoi prokurori.
Kurse, për gjeodeten Luljeta Rizanaj, prokurori theksoi se ajo pos që nuk e kishte kontrolluar dokumentacionin mbi ndarjen e ngastrës kadastrale, në mënyrë jo të barabartë e kishte regjistruar këtë në librat MAP.
“E akuzuara Luljeta Rizanaj, pavarësisht lëshimeve dhe shkeljeve procedurale, ajo nuk ka bërë asnjë përpjekje që vendimi i tillë të anulohet”, deklaroi Sefa.
Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.
Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore./Media Ndërtimi.