Prokurori Special, Naim Abazi, ka thënë se ka prova të mjaftueshme ndaj Bajram Hasanit, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqit, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës, nënkryetarit të kësaj komune, Hajdin Berisha dhe të akuzuarve të tjerë. Ndërsa, mbrojtja ka pretenduar të kundërtën.
Në këtë rast, për korrupsion po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të hënën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, tetë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Prokurori Special, Naim Abazi në fjalën hyrëse ka deklaruar se aktakuza është e mbështetur në prova të besueshme, të cilat sipas tij, gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.
Ai ka thënë se edhe Gjykata e Apelit me rastin e konfirmimit të kësaj aktakuze ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve janë veprime inkriminuese, të cilat paraqesin elemente të veprave penale për të cilat akuzohen.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në KOmunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007./Media Ndërtimi.