Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku deklaroi se Prizreni është në fokus të programit për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore si mjet për promovim të vlerave të përbashkëta dhe prosperitetit ekonomik.
Mbi 1,2 milionë Euro është vlera e buxhetit që është duke u investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kurse rreth 490 mijë Euro të tjera përfshihen në buxhetin e projekteve që do të nisin të zbatohen gjatë këtij viti.
Aktalisht janë duke u zhvilluar ndërhyrje emergjente në gjashtë asete, ndërsa në kuadër të projektit të Revitalizimit të rrugës Marin Barleti po realizohen punime restauruese në dy shtëpi. Gjithashtu po restaurohen gjashtë shtëpi tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshi kompleksin e banimit të familjes Dorambari, shtëpinë e familjes Bardhi, shtëpinë e familjes Sokoli, shtëpinë e familjes Kabashi, si dhe është në përfundim restaurimi i kinemasë së vjetër të qytetit.
Gjatë kësaj jave kanë nisur ndërhyrjet restauruese edhe në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, projekt ky i cili ka qenë në pritje për shumë vite.
Muzetë po i funksionalizojmë. Në kuadër të programit të muzeve, rregullimi i enterierit dhe ekspozitës në Muzeun Arkeologjik ka përfunduar, ndërsa në proces të hartimit është koncepti i ekspozitës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Projektet muzeale në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Kulturës përfshijnë edhe Muzeun e Nënë Terezës dhe Muzeun e Filigranit.
Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm është ai i Qendrës Kulturore Hebraike. Punimet pritet të fillojnë muajve në vijim, ndërsa po punojmë edhe në zbatimin e planeve të meaxhimit të Kalasë së Prizrenit dhe të Qendrës Historike të Prizrenit.
Së fundmi ka filluar hartimi i projektit të interpretimit dhe prezantimit të lokalitetit arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe këtë vit ky plan do të zbatohet duke e shëndrruar këtë lokalitet në një prej pikave referuese për vizitorët e qytetit./Media Ndërtimi.