Me kërkesë të avokatit Adnan Pacolli, i cili ishte në seancë si mbrojtës sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Begzat Musliu, është ndërprerë gjykimi i së mërkurës në rastin ku Musliu, si drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), dhe Naim Sallahu ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K., po akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast Begzat Musliu akuzohet se jashtëligjshëm përpiloi një raport auditimi në favor të kompanisë “Sallahu”, ndërsa Naim Sallahu, ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K. akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Pacolli kërkoi ndërprerjen e seancës me arsyetimin se nuk kishte mundësi që të përgatitej lidhur me këtë çështje për të mbrojtur të akuzuarin Musliu, pasi që edhe gjykimi ishte në fazën e marrjes në pyetje të deshmitarëve të mbrojtjes.
“E njoftoj gjykatën se nuk kam qenë i njoftuar me kohë, nuk kam pas mundësi që të përgatitem me shkresat e lëndës për këtë seancë. Kërkoj nga gjykata të shtyhet kjo seancë për një ditë tjetër”, tha avokati Pacolli.
Një kërkesë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurori i çështjes Bashkim Zeqaj, mirëpo i njëjti kërkoi nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të sqaronte për prezencën e avokatit Pacolli për të mbrojtur të akuzuarin Musliu sipas detyrës zyrtare.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Avni Syla aprovoi propozimin e avokatit Pacolli, me arsyetimin se i njëjti nuk ishte njoftuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës që ishte caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, por nga i akuzuari Musliu dhe se shkresat e lëndës i kishte marrë me vonesë nga avokati paraprak.
Ndër të tjera, gjykatësi Syla tha se gjykata lidhur me pengesën e cila u paraqit sot në seancë do t’i drejtohet OAK-së me shkresë për të kërkuar arsye pse nuk ishte njoftuar me kohë avokati Pacolli pasi që një pengesë e tillë e vononte punën e gjykatës.
Në këtë seancë, ishin të pranishëm edhe dëshmitarët Hysen Merovci dhe Shaban Krasniqi, ndërsa mungoi dëshmitarja Nexhibe Behluli, për të cilën gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim./Media Ndërtimi