Nëse vrojton rreth e qark në Prishtinë, njeriu has ndërtesa që qëndrojnë si gjurmë të epokës komuniste, tani të konsideruara si simbole ikonike. Ndërsa këto ndërtesa njëherësh shiheshin si zhdukja e identitetit të qytetit, tani vlerësohen si pjesë thelbësore e trashëgimisë së Prishtinës, me shumë prej tyre që gëzojnë mbrojtje nga shteti.
Në vitet 1950, nën regjimin socialisto jugosllav, motoja e zhvillimit urban të shtetit ishte ‘Shkatërroni të vjetrat, ndërtoni të reja’. Ndërtesat e erës komuniste ende qëndrojnë nën qiellin e Prishtinës, veçanërisht ato që dikur shërbenin si struktura publike dhe tani janë simbole të qëndrueshme të qytetit, si Pallati i Rinisë dhe Sportit, i cili, megjithëse tani pothuajse me funksion të kufizuar, mbetet një strukturë emblematike.
Nga vitet 1960 deri në vitet 1990, kur Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, strategjia politike dhe e zhvillimit urban i kushtonte përparësi ndërtimit të rrugëve dhe ndërtesave sociale dhe kulturore shumëfunksionale, siç është detajuar në një punim shkencor nga Teuta Jashari Kajtazi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.
Pavarësisht qëllimeve të vjetra për të zhdukur karakteristikat e mëparshme të qytetit dhe për të prezantuar një estetikë më moderne, këto ndërtesa të epokës komuniste pa dyshim kanë lënë një gjurmë të pashlyer në peizazhin arkitektonik të Prishtinës, të karakterizuar nga një stil arkitektonik i përbashkët dhe përdorimi i betonit.
Nëpër dekada, çdo ideologji politike që ka ardhur në Prishtinë, përfshirë komunizmin, ka kërkuar të krijojë diçka të re, duke riformuar në të njëjtën kohë edhe qytetin dhe njerëzit, siç është theksuar nga Arsim Canolli, profesor i Antropologjisë së Kulturës Materiale në Universitetin e Prishtinës.
Në perspektivën e Canollit, Prishtina shihet si një qytet mozaik dhe “i arnuar” si përzierje e stileve arkitektonike otomane, austro-hungareze, komuniste dhe bashkëkohore me pika monumentale historike dhe estetike. Ky mozaik përfshin pikat e spikatura si komplekset rezidenciale të epokës komuniste, sheshet e vogla me buste të mëdha, Kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe lagjet e reja gri e me rrokaqiej në Lakrishtë.
Sipas Canollit, Prishtina ka identitetin e saj arkitektonik por që është i karakterizuar nga nën-kulturat e ndryshme ku njerëzit përfshijnë stile të ndryshme si gjermane, turke dhe amerikane. Por, ndërtimet më të reja ato i konsideron kaos.
“Ndërtimi i vazhdueshëm që nga viti 2000 është një traumë për qytetarët e Prishtinës”, shtoi ai duke e përmbledhur mendimin e tij me fjalinë “kanë ndodhë si në bahçe të babës”.Canolli gjithashtu identifikon lagjet e mbyllura në periferi të qytetit, të banuara nga një klasë e re e banorëve, si një nën-kulturë e re që ka grumbulluar kapital ekonomik. Gjithashtu, ka lagje që ruajnë infrastrukturën socialiste me zhvillime arkitektonike minimale, si dhe zona që ende mbajnë atmosferën e fshatrave të vogla ose lagjeve të ngushta me familje të afërta.
Ndërsa Prishtina krenohet me një histori të pasur që daton që në kohët prehistorike, pjesa e vjetër e qytetit, e cila ka evoluar nga fshati në një qytet otoman, ka pësuar shkatërrime të konsiderueshme në dy shekujt e fundit, sidomos gjatë periudhës komuniste dhe pas luftës së vitit 1998-1999.
Edhe pse shpreh shqetësime për humbjen e trashëgimisë kulturore, Canolli pranon se Prishtina mbetet e hapur ndaj ideve të reja, falë ndikimit të shumtë të diasporës kosovare. Si rezultat, Prishtina ka zhvilluar një “vetëdije mimetike për zhvillimin”, një lloj fantazie që të duket “si jashtë” ose si vendet perëndimore./Media Ndërtimi