Agron Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, pas prerjes së disa pemëve të vjetra në oborrin e stacionit të autobusëve.
Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar vetë Hoxha, më 18.03.2024, duke thënë se pas ngjarjes që ka ndodhur një ditë më herët e ka ofruar dorëheqjen.
“Unë jam larguar sot nga ushtruesi i detyrës. Pas ngjarjes që ka ndodhur kam ofruar dorëheqjen” – ka thënë ai përmes telefonit.
Hoxha ka thënë se vendimi për prerjen e pemëve ka qenë i ndërmarrjes, për shkak të një projekti për renovimin e objektit.
“Ato pisha të kalbura janë hequr për shkaqe sigurie. Nganjëherë ka ndodhur që u kanë rënë edhe studentëve, sepse aty janë 10 mijë qytetarë që gjatë ditës që lëvizin në stacion. Këto kanë me u ndërr me pisha të reja, pasi të kryhet projekti” – ka thënë Hoxha.
Konstatimi se pemët janë të kalbura, Hoxha tha se është bërë nga vetë menaxhmenti i ndërmarrjes, e jo nga ndonjë ekspert i fushës.
Në anën tjetër, Komuna e Gjakovës ka thënë se prerja e drunjëve është bërë pa dijeninë e tyre.
Përmes një komunikate për media, Komuna ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit.
“Ky veprim ka ndodhur pa njoftimin dhe aprovimin e komunës dhe si i tillë është i dënueshëm. Ky nuk është rasti i vetëm që po ndodh. Në të gjitha rastet do të ndërmirren masat e nevojshme ligjore dhe presim nga policia dhe prokuroria që edhe ata ti ndërmarrin masat e duhura ligjore për këto raste” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndërsa drejtori i Inspektoratit në Komunën e Gjakovës, Hysni Muhadri, ka thënë se Stacioni i Autobusëve nuk ka pasur leje nga asnjë institucion për prerjen e pemëve. Përmes telefonit, Muhadri tha se inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin.
“Po dje kanë dalur inspektorët. Kemi bërë procesverbalin dhe jemi në proces të marrjes së veprimeve ligjore. Nuk ka pasur leje prej asnjë institucioni që me u pre ato pemë” – ka thënë Muhadri./Media Ndërtimi