Dëshmitarja Gjejlane Gjini ka thënë se Plani Rregullues i Prizrenit nuk e ka paraparë vijën e hekurudhës, e cila është dislokuar në një lokacion tjetër.
Gjini ka thënë se në rastin konkret tek lejet ndërtimore për Avni Halitin dhe Nexhat Bytyqin nuk kishin kërkuar pëlqim nga INFRAKOSI pasi që në atë kohë kemi pasur planin rregullues urban dhe kishin vepruar sipas planit, raporton Betimi për Drejtës.
Këtë dëshmi Gjini e ka dhënë të enjten në në Gjykatën Themelore në Prizren është përfunduar dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ku për korrupsion po akuzohen ish-Kryeshefit të INFRAKOS-it, Agron Thaqi, tre ish-drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtorit të Inspektoriateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektorit të ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxherit dhe bashkëpunëtorit profesional të “INFRAKOS”-it, në Prizren, Naim Avdyli.
Dëshmitarja Gjini deklaroi se punon si bashkëpunëtore profesionale në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren.
Dëshmitarja deklaroi se plani rregullues urban është hartuar në bazë të vendimit ku është angazhuar një kompani private ku është planifikuar banim kolektiv, afarizëm, administratë dhe pjesë gjelbrimi dhe se në pjesën përballë “ Abi Çarshisë” janë ndërtuar shumë objekte.
Dëshmitarja Gjini tha se ky plan rregullues ka marrë konfirmim ligjor pasi që edhe sot e kësaj dite punohet me këtë plan dhe se si Drejtori punojmë me këtë plan prej momentit të pranimit dhe se si plan ka përfunduar në shkurt të vitit 2012.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaqit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se zyratrët komunal i kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë./Media Ndërtimi.