RTK ka nisur ciklin e rrëfimeve që prezantojnë Kosovën te transmetuesit e tjerë publik. Tema e parë që u trajtua është interesimi i të rinjve kosovarë për teknologjinë informative.
Interesimi për teknologjinë informative po nis nga moshat e hershme, madje ende pa i mbushur 11 vjet.
“Mendoj që është një perspektivë që duhet me pasë më shumë njohuri në Kosovë. Unë edhe në shkollën që shkoj, merret me teknologji dhe programim. Jeta sillet rreth programimit për mua”, deklaron programerja Elmedina Bucolli.
“E gjithë e ardhmja është në fushën e teknologjisë, qoftë programim, inxhinieri softuerike, dizajn, inteligjencë artificiale. Shkolla digjitale jep një mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme rreth fushës së programimit, si mund të jemi programera dhe si mund të jemi ndihmues në skuadrën tonë”, ka thënë programeri Leart Shaqiri.
Kjo dëshmohet edhe në moshën e të punësuarve te kompanitë vendore.
“Mosha mesatare në kompaninë tonë në Kosovë është 21 vjeç. Nga 35 persona të punësuar, unë jam më i vjetri. Kemi 18 vjeçar që sapo ka hyrë në punë me full time. Kam pasur raste kur persona nga 16-17 vjeç i kam punësuar me part time”, tha Drilon Jaha, programer.
Situata qëndron mirë edhe për studime. Në vitin e kaluar akademik kanë qenë 7,243 studentë në këto fusha. Inteligjenca artificale është drejtimi që po prin në punësim të studentëve, konfirmon profesori i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Rexha.
“Në tri garat që kemi marrë pjesë në tri vitet e fundit, studentët tonë janë renditur të parët e të dytët në gara shumë kompetitive, me studentë nga Universiteti i IOWA-s dhe universitete tjera të Shteteve të Bashkuara. Unë mendoj se shoqëria e së ardhmes do të jetë shoqëri ekskluzive e dijes, por e dijes e bazuar në ICT”, ka thënë profesori Blerim Rexha.
Kohëve të fundit është vërejtur interesim i shtuar i grave dhe vajzave në teknologji.
“Kompanitë amerikane, gjermane e të botës perëndimore, i favorizojnë vendet e Ballkanit, veçanërisht kosovarët për punësim. Kjo për arsye se kultura jonë është shumë e ngjashme me kulturën e tyre, habitatet i kemi shumë të njëjta, por edhe në sensin që etika jonë e punës dallon shumë krahasuar me disa vende të tjera”, ka thënë Blenda Luta, menaxhere e shitjes në Amazon./Media Ndërtimi