Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Arben Berisha, Nerimane Kelani-Sherifi dhe Ramadan Hasani po akuzohen për tjetërsim të një prone në Obiliq, janë dëgjuar dëshmitarët Musa Gashi, Rasim Jashari dhe Nexhmedin Osmanaj.
Fillimisht i akuzuari Berisha ka deklaruar se për shkak të obligimeve familjare nuk mund të qëndroj në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi e ka njoftuar të njëjtit se sipas Kodit të Procedurës Penale shqyrtimi gjyqësor mund të vazhdoj në mungesë kur i akuzuari pajtohet me këtë dispozitë.
“Pasi që për këtë seancë kemi të ftuar 3 dëshmitarë të cilët vijnë nga një distancë, kërkoj mendimin e të akuzuarit nëse do të jetë i pranishëm gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësorë apo është i mendimit që shqyrtimi të vazhdoj në mungesë të tij”, ka thënë gjykatësi Foniqi.
Kurse, i akuzuari ka dhënë pëlqimin e tij që shqyrtimi gjyqësor të vazhdoj pa praninë e tij për këtë seancë meqenëse është i pranishëm i mbrojturi i tij.
Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Musa Gashi i cili tha se në total të akuzuarit Hasani, për blerjen e tokës i kishte dhënë 4 mijë e 200 euro, pjesë pjesë në kohë të ndryshme, nga çmimi prej 19 mijë euro.
Pas kësaj ai tha se për këtë pronë i akuzuari Hasani i kishte bërë një autorizim, me të cilin ka pasur të drejtë ta shes, parcelizoj dhe ta ndërroj.
Gashi shtoi se këtë tokë më pas ia kishte shitur Rasim Jasharit (dëshmitari tjetër), me të cilin tha se kishin bërë një kontratë në zyrën e ndërmjetësimi dhe nga i cili kishte marrë 10 mijë euro, kurse pjesën tjetër kishte për ta marrë me kompensime.
Tutje, ai tha se pasi që prona kishte dal në emër të Jasharit, ai së bashku me të kishin gjetur blerësin e tretë i cili kishte paguar afërsisht 30 mijë euro.
Ai tha se në kadastër kishte kuptuar se kjo tokë nuk ishte në rregull dhe se policia dhe prokuroria kishin pyetur për të njëjtën tokë.
Një informatë të tillë tha se e kishte marr nga një femër dhe një mashkull duke shtuar se këta mund të jenë të akuzuarit Kelani dhe Berisha, por se për këtë tha se nuk është i sigurt.
Andaj, kjo sipas tij i kishte paraqitur problem me blerësin e ri, Astrit Jasharin, i cili pasi i kishte dëgjuar këto fjalë, ishte tërhequr nga blerja.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 mars 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar, Nerimane Kelani-Sherifi- Udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit, dhe Arben Berisha-Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar.
Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit Kelani-Sherifi me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që më datë 18.03.2022, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me numër V-315, për bartjen e pronës, në Milloshevë, Komuna Obiliq, në sipërfaqe prej 11,034 m2, për bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në “Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë LRP nr.1276/2022”, në kundërshtim me Ligjin 04/L-009 neni 4, për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme.
Ndër të tjera në aktakuzë thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin Aktvendim me numër V-315 e ka nënshkruar edhe i akuzuari Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e akuzuara Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve te të ndjerit Xh.R.
Me këtë, të akuzuarit Kelani-Sherifi dhe Berisha në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Ndërkaq, në dipozitivin e dytë të akuzuarit Ramadan Hasani po akuzohet se me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin Musa Gashin, të cilin e ka mashtruar duke e nxitur të veprojë në dëm material te pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, në fshatin Polac, Komuna Skenderaj, në pompën e derivateve “Kabashi Petroll” in ka shitur tokën, në vendin e quajtur “Shishkoviqa Logor” në sipërfaqe te përgjithshme 11, 034 m2, Zona Kadastrale Millosheve, Komuna Obiliq.
Siç thuhet në aktakuzë i dëmtuari Gashi për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2 mijë euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3 mijë 250 euro, kurse marrëveshje ka qenë të paguhen 18 mijë euro, e ka fshehur faktin se “Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë, është i falsifikuar, me ç’ rast blerësi, tani i dëmtuari Gashi ishte vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Me këtë, i akuzuari Hasni po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi nga neni 323 par. 1 te Kodit Penal të Kosovës, vepër kjo dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet./Media Ndërtimi