Aktuale
“Përmbytja” e madhe e minierave të Kosovës
Published
3 years agoon
Shumica e minierave tashmë janë jashtë funksionit, të shkatërruara brenda dhe jashtë, të vërshuara dhe të mbuluara me ujëra, me infrastrukturë përcjellëse totalisht të dëmtuar, sidomos ambientet e punës së administratës, ambientet e ushqimit, të depove të ndryshme.
Pamjet e shumë minierave tona, dikur krenaria e vendit, tashmë janë nadrealiste thuaja, të shpërfytyruara, të degraduara frikshëm dhe të katandisura në përmasa të llahtarshme.
Për pasuritë nëntokësore në Kosovë, ka vite që thuaja se nuk interesohet askush. Shumica e minierave tashmë janë jashtë funksionit, të shkatërruara brenda dhe jashtë, të vërshuara dhe të mbuluara me ujëra, me infrastrukturë përcjellëse totalisht të dëmtuar, sidomos ambientet e punës së administratës, ambientet e ushqimit, të depove të ndryshme. Pamjet e shumë minierave tona, dikur krenaria e vendit, tashmë janë nadrealiste thuaja, të shpërfytyruara, të degraduara frikshëm dhe të katandisura në përmasa të llahtarshme, raporton Buletini Ekonimik.com.
Ky është përshkrimi i përgjithshëm i minierave të Kosovës, të cilat dikur ishin ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit me të hyrat e realizuara, me numër të të punësuarve dhe me të mirat e tjera që i sillnin popullatës sonë. Ndërsa, përshkrimi më konkret do të ishte pak a shumë ky: Sot në mbarë vendin punojnë me kapacitete jo të plota, të përgjysmuara vetëm 4 xeherore të plumbit dhe Zinkut- Stantërgu, Artana dhe xeheroret Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv.
Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, nuk punon kaherë Deva, Karaqeva, Minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë.
Duhet thënë se xeheroret e plumbit dhe zinkut të Kosovës, si dominuese për nga eksploatimi i xeheve për vite të tëra dhe për nga trajtimi institucional, para dhe pas lufte, për nga të ardhurat, realizimet e tjera financiare dhe për nga numri i punëtorëve, tashmë janë në gjendje të mjerueshme dhe të alarmueshme. Punojnë siç u tha me gjysmë kapacitete vetëm katëra sosh, ndërkohë që gjendja në Minierën e Stantërgut dhe ajo në Artanë (Novo Bërdë) është thuaja tronditëse, ndërsa për gjendjen aktuale në xeheroret e Cërnacit dhe të Bello Bërdës, që shtrihen mu në kufirin verior me Serbinë, institucionet tona nuk kanë të dhëna konkrete.
Drejtori i Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet e Kosovës (KPMM), Ramiz Krasniqi, thotë se udhëheqja e këtyre minierave rregullisht, sipas legjislacionit të Kosovës raportojnë te zyrtarët dhe institucionet kompetente për ecurit e punës, sasinë e prodhimit dhe zhvillimet e tjera që ndodhin në atë pjesë të Kosovës.
Duhet sqaruar se trupi minerar i plumbit dhe zinkut në Cërnac dhe në Bello Bërdë shtrihet edhe përtej kufirit Kosovë- Sërbi, edhe në pjesën e Serbisë pra, ku eksploatohet dhe menaxhohet nga Serbia. Ndërkaq, pjesa e trupit minerar që shtrihet brenda Kosovës menaxhohet nga punëtorë të Kosovës, kryesisht nga komunat e pjesës veriore të vendit. Ka shumë gjasë që gjendja e tërësishme në minierat Cërnac dhe Bello Bërdo është dukshëm më e mirë se ajo në Stantërg dhe në Artanë.
Në Stantërg aktualisht punohet në horizontet e poshtme të minierës duke nisur nga horizonti VIII, IX, X dhe horizonti i XI-të. Në këto horizonte vlerësohet se ka ende goxha rezerva të trupit minerar dhe si të tillë, del që ende janë ekonomikisht të favorshëm për t’u eksploatuar, sqaron Krasniqi.
Në Minierën e Artanës (Novobërdës) punohet në horizontet e epërme të cilat nuk janë të përmbytura në ujë dhe ka pak a shumë kondita për angazhimin e xehetarëve. Ndërkohë që Miniera e Hajvalisë nuk punon qe sa vite për shkak të mungesës së një pompe për pompimin e ujit që ka përmbytur horizontet e kësaj xeheroreje.
Shkaku del të jetë fare i pakuptimtë, pasi që, siç rrëfejnë ish-xehetarë të kësaj miniere, pompa, aq e domosdoshme nuk është siguruar kurrë nga asnjë qeveri e deritashme dhe nga asnjë institucion tjetër kompetentë, sado që çmimi i saj bëhet e ditur të ketë qenë rreth 30 mijë euro. Kjo pompë e munguar është shkaku i mbylljes së kësaj miniere.
Ndërsa, shkaqet e mbylljes së Minierës së Kishnicës nuk i dijnë në KPMM. Rreth interesimit të Buletinit Ekonomik për nivelin e teknologjisë që përdoret në këto miniera në KPMM theksojnë se teknologjia e përdorur në minierat e Kosovës nuk mund të vlerësohet më teknologji e vjetëruar, apo e re, sepse në shumë raste përcaktuese të përdorimit të teknologjisë së re është vet sistemi i shfrytëzimit dhe eksploatimit të xehes.
Ata për këtë shpjegim e marrin shembullin te Miniera e Stantërgut, ku në shume vende brenda minierës përdoret teknologji moderne dhe makineri me produktivitet të lartë, por ka raste kur në disa horizonte përdoret edhe teknologji e vjetër, por me mekanizëm të ri.
Rreth kushteve të punës, përkujdesjes shoqërore ndaj minatorëve, të ardhurave të tyre, sigurimit të ushqimit gjatë një orari pune, siç veprohet kudo në minierat e botës dhe përkujdesjes shëndetësore të xehetarëve në KPMM sqarojnë se kushtet e punës janë të përcaktuara sipas normativit të përcaktuar nga vet ndërmarrja dhe për këto nuk japin shumë shpjegime.
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi