Në kuadër të programit të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, BE-së dhe UNDP-së, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës.
Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj të angazhohem për të gjithë qytetarët tanë pa dallim e diskriminim. Harmonia ndërmjet komuniteteve etnike e fetare, si vlerë dalluese e shoqërisë sonë, është zotim dhe përkushtim i përhershëm i qeverisë sonë. Trashëgimia kulturore është ndër mjetet më efektive për afrim e bashkëpunim mes popujve. Prandaj, investimet tona në mbrojtjen dhe funksionalizimin e monumenteve do të jenë të vazhdueshme.”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi rreth renovimit të këtyre aseteve kulturore./Media Ndërtimi