Janë bërë mbi 3 vjet që kur është dhënë ideja që hyrja në Bogë, Rugovë e Prevallë, të bëhet me pagesë, ashtu sikurse në Brezovicë. Laurat në hyrje të parqeve janë vendosur, por aplikimi i taksave s’ka filluar ende. Për arsyet pse është dhënë një ide e tillë dhe taksat, kanë folur nga Ministria e Mjedisit dhe ish-Ministri Fatmir Matoshi.
Hyrjen me pagesë sikurse në Brezovicë, Shteti po planifikon ta aplikojë edhe për Bogën, Rugovën e Prevallën. Në këtë formë, po tentohet të parandalohen ndërtimet pa leje, prerja ilegale e pyjeve dhe gjuetia.
Ideja për aplikimin e këtyre pagesave është dhënë tash e tri vjet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.
Nga Ministria e Mjedist, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se deri tash s’janë aplikuar pagesat për hyrje në këto parqe.
Bajram Kadriu nga Zyra për Media në MMPHI i ka thënë Gazetës Express se për kohën e aplikimit të takës do të vendos Ministria apo Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.
“Duke iu referuar emailit tuaj ju njoftojmë se Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare “Sharri” si dhe DAPK ”Bjeshkët e Nemuna” deri me tani nuk kemi aplikuar taksë për hyrje në Parkun Kombëtar. Për kohen e fillimit për aplikimit të taksës vendos MMPHI/AMMK”, ka thënë Kadriu.
Sipas Kadriut, ende nuk është përcakuar shuma e pagesës që do të duhet ta paguajnë ata që ua mësyjnë këtyre parqeve.
Por, sipas një tabele të çmimeve që kishte siguruar Gazeta Express para tri vjetëve, propozohej që çmimet për hyrje dhe vizita gjatë një dite në këto parqe të fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.
Për fëmijë të moshës 10 deri 18-vjeçare hyrja do të kushtonte 50 centë në ditë, 1 euro persona të rritur, 1 euro për automjete dhe motoçikleta, 2 euro për furgon dhe tri euro hyrja me autobus dhe kamionë.
Ish-Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në kohën e të cilit ishte përmendur që këto zona të bëhen me pagesë, ka treguar për Gazetën Express se ideja për vendosjen e laurave nëpër hyrjet e parqeve të vendit ka qenë e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë(AMMK).
Me vendosjen e këtyre laurave, Matoshi thotë se ndër të tjera do të pengoheshin ndërtimet ilegale dhe prerja ilegale e pyjeve nëpër parqe.
“Katër arsye kryesore i ka pasur kjo iniciativë, përmes vendosjes së laurave do të kontrollohej futja e materialit ndërtimor në parqe, pra do të pengoheshin ndërtimet ilegale, do të kontrollohej gjuetia ilegale, do të parandalohej prerja ilegale e pyjeve nëpër parqet kombëtare, ndërsa më vonë me aplikimin e taksës do të krijoheshin mundësi më të mira buxhetore për mirëmbajtjen e parqeve kombëtare”, thuhet në përgjigjet e Matoshit.
Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor./Media Ndërtimi