Mbyllja e plotë e sporteleve fizike të kadastrës po krijon probleme të mëdha edhe për sektorin bankar.
Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral është bërë një faktor me ndikim të rëndësishëm në frenimin e kredisë në dy muajt e fundit.
Sipas analizave të brendshme të bankave, shifrat e disbursimeve po shfaqin rënie të ndjeshme dhe vlerësohet se faktori kryesor është pikërisht bllokimi i veprimeve të Kadastrës.
Burimet bëjnë të ditur se Shoqata e Bankave i është drejtuar Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Kadastrës për të shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe për të marrë informacion lidhur me punën që po bëhet për zgjidhjen e problemeve. Por, deri tani, titullarja e Kadastrës nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Pjesa më e madhe e kredisë bankare është e garantuar me kolataral në formën e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2022 pronat mbulonin 60% të portofolit të kredisë në valutë të huaj dhe 52% të portofolit të kredisë në lekë.
Përdorimi i pasurive të paluajtshme si kolateral është më i lartë te individët, ku pronat garantojnë 72% të kredive në valutë dhe 55% të kredive në lekë. Për bizneset, pasuritë e paluajtshme mbulojnë 70% të kredisë në valutë dhe 48% të kredisë në lekë.
Në rastet kur kredia do të garantohet me kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme, klienti është i detyruar të pranojë vendosjen e barrës hipotekore mbi pronën në favor të bankës. Vendosja e hipotekës ligjore mbi pasuritë e paluajtshme është një veprim që duhet regjistruar në kartelën kadastrale të pronës, pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e të gjitha sporteleve fizike të kadastrës shtetërore që prej datës 3 korrik të këtij viti dhe ofrimin e të gjitha shërbimeve të kësaj agjencie ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit e-albania.
Por, dixhitalizimi i plotë i shërbimit të Kadastrës ka krijuar vonesa të mëdha në kohën e marrjes së këtyre shërbimeve, në mos bllokim të mirëfilltë të marrjes së tyre. Kjo situatë po krijon pasoja serioze për qytetarët dhe ekonominë.
Tregu i pasurive të paluajtshme në vitet e fundit është ndër kontribuesit kryesorë të rritjes së ekonomike dhe bllokimi i shërbimeve të Kadastrës faktikisht e paralizon tregun dhe e bën të pamundur regjistrimin e kontratave të shtiblerjes, por edhe të kontratatve të tjera të lidhura me pasuritë e paluajtshme, përveçse marrjen e shërbimeve të tjera kadastrale për qytetarët.
Por, efektet e kësaj situate tashmë po shtrihen edhe në sektorë të lidhur të ekonomisë, siç është sektori bankar. Sipas vrojtimeve periodike të Bankës së Shqipërisë, afërsisht gjysma e pronave shiten me kredi bankare.
Deri në mesin e këtij viti, ecuria e kredisë bankare shfaqte një ecuri pozitive, pavarësisht rritjes së normave të interesit. Për gjashtë muajt e parë të vitit, sektori bankar dha 139.6 miliardë lekë, në rritje me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë se ecuria e kredisë këtë vit po shfaqet më e mirë se pritshmëritë.
Rritja e shpejtë e normave të interesit vitin e kaluar besohej se do të kishte një efekt në frenimin e kreditimit për ekonominë, por deri tani ky efekt ka qenë vetëm i pjesshëm. Një ndikim në vijimësinë e kreditimit duket të ketë pasur ngadalësimi i procesit të normalizimit monetar nga Banka e Shqipërisë. Por, kreditimi rrezikon të pësojë një frenim artificial, për shkak të bllokimit të shërbimeve të Kadastrës./Media Ndërtimi