Komunën e Shtërpcës ka përuruar një spital me vlerë 1,647,257 euro por i njëjti ende nuk është funksionalizuar.
Kurse, katër ndërtesa banimi, të ndërtuara para 6 viteve për qytetarë me gjendje të rëndë sociale, në vlerë prej 2,709,075 euro, janë të pashfrytëzuara dhe kanë filluar të dëmtohen dhe të demolohen. Ndërkohë, bizneset veprojë pa paguar as taksën e regjistrimit e as tatimin mbi pronë. Kjo pasi komuna nuk shpërndan faturat.
Këto janë vetëm disa të gjetura të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në këtë komunë, e cila ka mungesë të kontrolleve të brendshme rreth menaxhimit të pasurive.
“Komuna nuk kishte regjistruar në regjistrat kontabël të SIMFK-së blerjet e vitit 2021 që janë bërë nga kategoria e investimeve kapitale në vlerë prej 388,168€ (ku përfshihen paisjet mjeksore me vlerë prej 330,406€ si dhe ndërtimi i rrugëve lokale me vlerë 57,762€), raporton Indeksonline.
Po ashtu, Komuna nuk e aplikon sistemin e-pasuria për regjistrimin e pasurive nën 1,000€, blerjet e vitit në vlerë 119,771€ ku përfshihen blerja e kompjuterëve, inventarë të ndryshëm dhe paisje tjera të IT-së të cilat nuk janë regjistruar në sistemin epasuria, duke bërë që vlera e pasurive kapitale dhe jo kapitale të mos jetë e shpalosur saktë në PFV”, thuhet në raport.
Auditori ka gjetë edhe menaxhim jo të duhur të pasurive.
“Vlera e përgjithshme origjinale e pajisjeve mjekësore në regjistrin e pasurisë është 1,823,644€, të cilat mbahen në depo, nuk shfrytëzohen, zhvlerësohen dhe për disa prej tyre vlera e mbetur në libra është zero. Zhvlerësimi për këto pajisje në fund të vitit 2021 ka vlerën prej 1,214,173€, ndërsa vlera e mbetur në libra është 609,471€.
Komuna ka ndërtuar një Spital, kostoja e të cilit arrinë vlerën prej 1,647,257€.
Pranimi teknik është bërë me dt.31.10.2012 dhe i cili ende nuk është funksionalizuar dhe i njëjti ka filluar të zhvlerësohet që nga data e pranimit teknik.
Zhvlerësimi i akumuluar i kësaj ndërtese deri në fund të vitit 2021 ka arritur vlerën prej 377,473€, ndërsa vlera neto në libra ka mbetur 1,269,684€. Në regjistrin e pasurive të komunës janë të evidentuara katër ndërtesa banimi, të ndërtuara për qytetarë me gjendje të rëndë sociale, në vlerë prej 2,709,075€.
Edhe pse ndërtesat janë të përfunduara para më shumë se 6 viteve ato ende janë të pashfrytëzuara, nuk janë të pranuara teknikisht, mbahen si investime në vijim dhe nuk zhvlerësohen. Këto ndërtesa nuk shfrytëzohen nga askush, nuk kanë përkujdesje dhe nuk mirëmbahen.
Nga vizita e realizuar kemi vërejtur se këto ndërtesa kanë filluar të dëmtohen dhe të demolohen. Shkaku për se ka ardhur deri te kjo është neglizhenca, papërgjegjësia e menaxhmentiti dhe mungesa e kontolleve të brendëshme për t’i korgjuarë çështjet më lartë.
Ndikimi mbajtja e pajisjeve në depo për kohë të gjatë dhe mos funksionalizimi i tyre ndikon në zhvlerësimin e tyre ende pa u përdorur. Po ashtu, kjo ndikon edhe në dëmtimin fizik për shkak të kushteve të pa përshtatshme të ruajtjes së tyre dhe paraqet rrezik nga keq përdorimet dhe përvetësimet e paligjshme.
Më tutje, mos pranimi teknik, mos lëshimi në punë dhe menaxhimi i tillë i ndërtesave rritë rrezikun që ato të dëmtohen dhe të rritet kostoja e kthimit të tyre në gjendje për përdorim”, thuhet në raport./Ndërtimi Info.