Aktuale
Parqet nacionale me laura dhe me pagesë, kontrolli synon edhe ndalimin e ndërtimeve pa leje

Ndoshta janë çështje muajsh prej kur kushdo që do të marrë rrugën për në dy parqet nacionale të Kosovës, në “Bjeshkët e Nemura” dhe në “Sharr” do të duhet të paguajë diçka, në këtë fundit ka kohë që paguhet kur shkohet në Brezovicë.
Shkruan: Zoje Sadiku
Nuk ka rëndësi nëse është në këmbë apo me automjet. Me këtë po synohet që të ketë kontroll mbi parqet nacionale, me theks edhe te kontrollimi i materialit ndërtimor që futet aty, pasi do t’iu kërkohet leja. E gjitha kjo çon ujë në ndalimin e ndërtimeve pa leje.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Ndërtimi.info ka treguar për detajet e projektit të ndërtimit të laurave në Parqet Nacionale të Kosovës, ku vendosja e tyre do te bëhet në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, në hyrje të parkut në Junik, Baballeq dhe Grykë të Rugovës si dhe në Parkun e Sharrit dhe atë të Brezovicës.
Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikit Hapsinor na është thënë që këto laura do të jenë moderne me rampa elektronike, të cilat do të kontrollohen nga Agjencia e Mjedisit në Prishtinë, raporton Ndërtimi.info.
“Projekti tanimë ka filluar me realizimin, do të ndërtohen 4 laura moderne në parkun nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ në hyrje të parkut në Junik, Baballeq, Deçan dhe Grykë të Rugovës dhe në tri hyrjet. Në parkun e Sharrit dhe atë në Brezovicë, Prevallë dy laura. Do të jenë laura moderne me rampa elektronike dhe softuer që do të kontrollohet nga Agjencia e Mjedisit në Prishtinë”.
Gjithçka rrëth këtij projekti ka një synim. Ajo është mbledhja e të ardhurave më të mëdha për mirëmbajtjen e parkut. Mirëpo, MMPH synon që edhe të ketë kontroll më të madh rreth asaj se çka futet brenda këtyre parqeve nacionale, me cak tek materialet ndërtimore.
“Të gjitha ato mjete me materiale ndërtimore, të cilat nuk do të kenë leje ndërtimi nuk do të lejohen të futen brenda. Kjo me qëllim që të parandalohen ndërtimet pa leje”, thuhet nga MMPH, duke vazhduar edhe në caqet tjera sikur është edhe mbrojtja nga degradimi apo edhe prerjet ilegale.
Ky projekt synon të punësojë 40 persona teksa të hyrat parashikohen të prekin shumën prej gjysmë milioni euro.
Ndërsa të pyetur se çfarë do të bëhet me banorët të cilët kanë prona brenda laurave në parqe, është thënë se këta banorë do të pajisen me ID kartela që të mos pengohen gjatë kalimit apo të mos paguajnë. Ndërsa të tjerët duhet të paguajnë për secilin person por edhe automjetin.
“Në Brezovicë tanimë është bërë me pagese që nga viti i kaluar dhe po vazhdon ende, kurse ne pikat tjera do filloi sapo të jemi gati me laurat e reja. Pagesat do te bëhen gjatë gjithë vitit pa ndërprere. Taksa e rregulluar me udhëzimin administrativ për shërbimet e AMMK-së do të derdhen direkt në buxhetin e RK tek Ministria e Financave”, ka shtuar ai.

Të njihemi pak me situatën dhe parqet
Si për fillim për këto dy parqe nacionale të Kosovë ka nga një ligj. Brenda këtij ligji nuk thuhet asgjë sa i përket pagesës.
Parku Nacional “Bjeshkët e Nemura” përfshinë sipërfaqen prej 62.488 hektarësh dhe shtrihet në territorin e komunave: Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë dhe Istog në kufijtë e përcaktuar me ligj.
Po sipas ligjit, ai ndahet në disa zona: Zona e 1-rë ku ka veçori natyrore të jashtëzakonshme dhe ka mbrojtje strikte; Zona e 2-të ku ka menaxhim aktiv që lejon zhvillim të bujqësisë, ekoturizëm e të tjera, por në që nuk bijnë në kundërshtim me ligj; Zona e 3-të, ku ka shfrytëzim të qëndrueshëm, që me pak fjalë do të mund të ketë edhe ndërtim, rindërtim dhe të tjera në harmoni me ligjet dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar, teksa zona e fundit është ajo e ndikimit, që kap hapësirën prej 50 metra nga kufiri i oarkut që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme për parkun.
E njëjta gjë është edhe tek Parku Nacional “Sharr”, që përfshinë sipërfaqen prej 53.469 hektarësh dhe shtrihet në territorin e komunave: Kaçanik, Shtërpcë, Suharekë, Prizren dhe Dragash, në kufijtë e përcaktuar me ligj.
Në dy këto parqet ka pasur ndërtime dhe ka të tilla të cilat kanë dhunuar hapësirat e parqeve, ligjin, rregullore, udhëzimet, planet e çka jo tjetër.
