Parku Arkeologjik “Ulpiana” për çdo vit mbledh 40 mijë vizitorë, në mesin e të cilëve ka edhe turistë të huaj.
Arkeologu Milot Berisha, i cili është edhe përgjegjës i këtij parku thotë se ka tendencë të rritjes të numrit të vizitorëve.
Ai në një intervistë për KosovaPress flet edhe për mënyrën e funksionimit që do të zbatohet nga viti i ardhshëm.
“Nuk lejohet asnjë ndërtim përveç disa kulturave bujqësore, për momentin parku është i hapur për vizitorë me një sipërfaqe 3.5 hektarë, mirëpo ne synojmë të zgjerohemi duke pritur të zgjidhet çështja e pronësisë rreth 8 hektarë dhe pastaj natyrisht që do të ketë dhe një plan menaxhimi i cili është draftuar, ka marrë formën e saj, pothuajse përfundimtarë por që duhet të faktohen edhe instancat shtetërore për të krijuar edhe mundësinë e mbajtjes të vetvetes dhe të mundësisë së gjenerimit të fondeve dhe të menaxhimit të atyre fondeve që do t’i inkasojë nga të hyrat prej vizitorëve e që janë të shumtë. Ne kemi diku rreth 40 mijë vizitorë në vit me tendencë të rritjes, pra duke marrë për bazë se pastaj do të bëhet edhe hyrja pra do të jetë biletari, do të jetë një kafiteri, ne mendojmë se mund të krijojmë kushte që të jenë të pavarur të jenë si institucion në vete por gjithmonë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore”, shtoi ai.
Arkeologu Berisha tregon edhe për gërmimet që po bëhen në park, por edhe për kushtet në të cilat punojnë.
Ai thekson se do të vazhdojë gërmimi edhe gjatë dimrit dhe se do të bëhet incizimi gjeo-magnetik dhe gjeo-elektrik për këtë pjesë.
“Meqenëse Universiteti i Prishtinës ka pasur një drejtim për arkeologji, një pjesë e të cilëve janë orientuar në master dhe doktorata edhe në perëndim me bursë kryesisht nga Ambasada e Francës, nga Ministria e Kulturës, e dikush pa bursë. Unë nuk them që është mungesë e arkeologëve si profesionistë të fushës sa është mungesa për t’i punësuar ata. Duhet të rritet numri i arkeologëve të punësuar dhe në institutin Arkeologjik të Kosovës jemi gjithsej 12-13 punëtorë dhe jo më shumë se 7 arkeologë, që është një numër shumë i vogël dhe natyrisht që duhet të krijojmë kushte edhe mundësi që të punësohen këta”, tha ai./Media Ndërtimi